Ditën e sotme si pasojë e motit të keq, janë shënuar dëme të rënda në vijën bregdetare të Adriatikut, në zonën e Divjakës, ku argjinatura detare është çarë.
Erërat e forta deri në 8 ballë krijuan dallgë që arritën deri në 3 metra lartësi, duke kapërcyer argjinaturën dhe duke shkaktuar shembjen e saj.
Mbi 70 metra argjinaturë ranore janë gërryer dhe shkatërruar nga forca e detit, ndërsa ujërat e kripura kanë vërshuar drejt lagunës së Karavastasë dhe tokave bujqësore në zonën e Bedatit.
Edhe pse investimet në këtë argjinaturë janë kryer katër herë, duke u spostuar gradualisht drejt tokës lagunore, deti ka vijuar të përparojë, duke shkatërruar gjithçka përpara.
Pasojat janë të rënda edhe për bizneset e zonës. Sipas tyre, deti ka marrë rreth 1800 metra tokë, duke krijuar vështirësi serioze për zhvillimin e aktivitetit turistik.
Si pasojë e erozionit detar, mbi 1800 metra të vijës së plazhit në zonën e Bedatit janë zhdukur.
Deti ka përparuar drejt lagunës së Karavastasë, duke u bashkuar me të dhe duke ndryshuar ndjeshëm hartën natyrore të zonës.
Lini një Përgjigje