Edi Rama hap sektorë strategjikë për kapital rus, pavarësisht paralajmërimeve të SHBA-së

Biznesmeni rus David Ghubalashvili, i afërt me Putin dhe Lukashenkon, depërton në Shqipëri përmes rrjetit të Ron Yeffet, me kompani në karburante, të dhëna sensitive dhe industrinë e armëve.
Ndërsa SHBA kërkonte ndalimin e ndikimit ekonomik rus në Shqipëri, dokumentet tregojnë se biznesmeni rus David Ghubalashvili ka hyrë në sektorë strategjikë përmes ortakërive me izraelitin Ron Yeffet, figurë e lidhur me qeverinë Rama. Kompanitë “1820 Black Oil” dhe “1820 Albania” operojnë në karburante, teknologji informacioni, të dhëna sensitive dhe transaksione financiare, pa bilance dhe pa kontroll tatimor. Paralelisht, Ron Yeffet ka ndërtuar një rrjet kompanish armësh në bashkëpunim me Ministrinë e Mbrojtjes, duke përfituar tenderë publikë. Skema ngre dyshime serioze për cenim të sigurisë kombëtare dhe për shkelje të angazhimeve ndërkombëtare të Shqipërisë
Ndërkohë që SHBA-të i kërkonin kryeministrit Edi Rama ndalimin e ndërhyrjeve ekonomike ruse në Shqipëri, një biznesmen rus, i afërt me Vladimir Putin dhe Aleksandër Lukashenkon e Bjellorusisë, ka depërtuar në Shqipëri dhe ushtron aktivitet me dy kompani në sektorë strategjikë.
Bëhet fjalë për David Ghubalashvilin, i futur në ekonominë shqiptare përmes izraelitit Ron Yeffet, i njohur si person i afërt me kryeministrin Edi Rama, të cilit i është dhënë kontroll mbi industrinë shqiptare të armëve, municioneve, mjeteve, teknologjisë dhe veshjeve luftarake.
Dokumentet që po publikon “Pamfleti” vërtetojnë se më 15 dhjetor 2023, izraeliti Ron Yeffet dhe rusi David Ghubalashvili krijuan në Shqipëri kompaninë “1820 Black Oil” sh.p.k., në ortakëri 60 për qind me 40 për qind mes tyre, me kapital 35 milionë lekë dhe adresë në Porto Romano.
Objekt i veprimtarisë së kësaj kompanie është importi, eksporti dhe tregtimi me shumicë e pakicë i karburanteve, vajrave lubrifikante, gazit, lëndëve djegëse, transporti i tyre brenda dhe jashtë Shqipërisë, si dhe bashkëpunimi me kompani nxjerrëse dhe tregtuese të hidrokarbureve.
Një muaj pas krijimit të kësaj shoqërie, më 6 janar 2024, në kohën kur Edi Rama u paralajmërua për herë të radhës nga SHBA për bllokimin e aseteve ruse në Shqipëri, rusi David Ghubalashvili ia shiti formalisht ortakut izraelit Ron Yeffet 40 për qind të aksioneve për vlerën simbolike prej 40 lekësh, por vijon të drejtojë kompaninë.
Ndërkohë, më 15 nëntor 2023, izraeliti Ron Yeffet krijoi në Shqipëri kompaninë tjetër “1820 Albania” sh.p.k., në bashkëpunim me dy izraelitë të tjerë, Dorel Yehuda Shalmoni dhe Hen Shahar.
Administrator i kësaj shoqërie deri në nëntor 2028 është emëruar David Ghubalashvili, ndërsa bashkëadministratorë rezultojnë Ron Yeffet dhe qiprioti Marios Afxentiou, i skeduar për aktivitete të dyshimta.
Kompania, e deklaruar me kapital 1 milion euro shqiptar, portugez dhe izraelit, ka si objekt veprimtarie ruajtjen e të dhënave personale dhe të çdo sektori në Shqipëri, shërbimet e teknologjisë së informacionit dhe të rrjeteve të komunikimit për institucionet shqiptare, terminalet e pagesave, transaksionet me para elektronike dhe çdo aktivitet tjetër financiar jo bankar.

Dy kompanitë “1820 Black Oil” sh.p.k. dhe “1820 Albania” sh.p.k., të izraelitit Ron Yeffet dhe rusit David Ghubalashvili, që prej krijimit nuk kanë depozituar bilance në tatime dhe nuk janë kontrolluar, pasi, sipas burimeve, me urdhër të Edi Ramës trajtohen si shërbime të lidhura me sigurinë kombëtare që administrojnë të dhëna të klasifikuara.
Përveç këtyre dy kompanive, në ortakëri me shoqërinë shtetërore “Kayo” të Ministrisë së Mbrojtjes për armatime dhe pajisje luftarake, izraeliti Ron Yeffet ka krijuar edhe tre kompani të tjera në Shqipëri për prodhim, import, eksport dhe tregtim armësh, municionesh dhe pajisjesh luftarake.
Më 4 gusht, sërish në bashkëpunim me shoqërinë shtetërore “Kayo” dhe pa vendim qeverie, u krijua kompania “Timak Defence” sh.p.k., ndërsa më 2 shtator 2024 u krijua kompania “UNO 18” sh.p.k., 100 për qind në pronësi dhe administrim të Ron Yeffet.
Kjo kompani ka si objekt prodhimin, importin, eksportin dhe tregtimin brenda dhe jashtë Shqipërisë të të gjitha llojeve të armëve, pjesëve të armëve luftarake, municioneve, dronëve luftarakë, lëndëve eksplozive dhe teknologjisë ushtarake.
Më 11 nëntor 2025, sërish pa vendim qeverie, u krijua kompania tjetër “Advanced Arms Technology”, me ortakëri 80 për qind Ron Yeffet dhe 20 për qind shoqëria “Kayo” e Ministrisë së Mbrojtjes, ndërkohë që ai rezulton të ketë dy kompani armësh ku shteti shqiptar është aksioner minoritar.
Dy kompanitë “Timak” dhe “Timak Special Vehicles” janë futur në tenderë të qeverisë qendrore dhe pushtetit lokal, nga të cilët deri më tani kanë përfituar rreth 6 milionë euro me TVSH./Pamfleti
Lini një Përgjigje