Masën detyrim paraqitje dhe ndalim i daljes jashtë shtetit për Sali Berishën, Zef Brozi e cilëson si ditën e shumëpritur të shqiptarëve, ndërsa nxit SPAK dhe GJKKO të vijojnë hetimin.
Ish-kryetari i Gjykatës së Kasacionit, Zef Brozi ka reaguar sa i takon hetimeve që po bëhen për aferën e Partizanit. Brozi kërkoi që të merren në konsideratë edhe afera si ajo e 21 Janarit, Gërdecit dhe CEZ.
“Më në fund SPAK dhe Gjykata e Posaçme bënë hapin e parë që shqiptarët e ndershëm kishin vite që prisnin. Prandaj SPAK dhe Gjykata e Posaçme duhen përshëndetur, mbështetur dhe inkurajuar të vazhdojnë hetimin dhe ndëshkimin e korrupsionit dhe krimeve të kujtdo ish- pushtetari e zyrtari të rangjeve të larta.
Besoj se media e shtypi mund dhe duhet të risjellin në kujtesë 21 Janarin, Gërdecin, CEZ etj. dhe insistojnë që drejtësia të vejë para përgjegjësisë të pandëshkueshmit e derisotëm.
Unë mbështes fuqimisht pavarësinë e SPAK dhe Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe bëj apel t’u jepet fund shantazheve, kërcënimeve e denigrimeve që disa deputetë, politikanë e ndonjë tjetër po bëjnë kundër prokurorëve e gjyqtarëve të këtyre institucioneve shpresëdhënëse për Shqipërinë.
Unë nxis SPAK, Gjykatën e Posaçme dhe BKH të vazhdojnë me kurajo e profesionalizëm hetimin e gjykimin e korrupsionit dhe krimit të pushtetarëve e ish-pushtetarëve më të lartë të shtetit. Vetëm kështu ato i bëjnë shërbimin e madh vendit të tyre dhe qytetarëve shqiptarë në udhëtimin drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.
Sekuestroni e konfiskoni pasuritë që këta pushtetarë e ish-pushtetarë i kanë grabitur Shqipërisë me korrupsion dhe abuzim. Mbështetja e institucioneve të Amerikës dhe Bashkimit Europian për SPAK, BKH e Gjykatën e Posaçme bëhet përditë e më e madhe dhe e shumëanshme!”-shprehet Brozi.
Lini një Përgjigje