
PD-Aleanca për Shqipërinë Madhështore ka ankimuar në KAS rezultatin e zgjedhjeve të 11 majit në qarkun e Kukësit.
Sipas një njoftomi, bëhet me dije se PD ka kërkuar përsëritjen e procesit në të gjithë këtë qark, ndonëse fitoi 2 mandate kundrejt 1 mandati që mori PS.
“Raporti ndërkombëtar i vëzhgimit të zgjedhjeve i OSBE-ODIHR, i datës 12 Maj 2025 (bashkëngjitur kopja e tij] përmend në mënyrë eksplicite se përdorimi i burimeve administrative nga partia në pushtet ka krijuar një avantazh të padrejtë dhe ka ndikuar ndjeshëm në rezultatin e zgjedhjeve.
Në Kukës, kjo është përkthyer në presion mbi nëpunësit civilë, aktivizimin e strukturave të patronazhimit dhe madje edhe intimidim të votuesve të opozitës, sipas Raportit të OSBE-ODIHR. Kjo klimë e presionit dhe manipulimit bie ndesh me çdo standard demokratik dhe ka prodhuar një atmosferë ku farsa zgjedhore zë vendin e garës reale.
Në zona si Tropoja dhe Hasi, ku varfëria është e përhapur dhe mundësitë për zhvillim ekonomik janë të reduktuara, kapja e votës përmes premtimeve të ndihmës ekonomike ose shantazhit të punësimit shtetëror është edhe më e lehtë për t’u realizuar”, thuhet mes të tjerash në kërkesën e PD-ASHM.
Lini një Përgjigje