TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet22 Maj 2025, 22:36

“Lufta” për kreun e BKH/ Hajnaj refuzoi të bëhet pjesë e lojës së Dumanit, SPAK rihap garën

Shkruar nga Pamfleti
“Lufta” për kreun e BKH/ Hajnaj refuzoi të bëhet
Dumani-Hajnaj

Aida Hjanajt i refuzohet zyrtarisht riemërimi...

Aida Hajnaj nuk do të jetë më kryetare e Byrosë Kombëtare të Hetimit duke nisur nga korriku. Pas një beteje të gjatë, ajo sot është “shkarkuar” zyrtarisht, pasi SPAK ka hapur garën për kreun e ri të BKH.

Por çfarë ka ndodhur realisht?

Aida Hajnjt i mbaron mandati në korrik dhe pati një betejë ligjore mes saj dhe SPAK. Në 22 prill, SPAK hapi garën për riemërimin e kreut të BKH. Ndërkohë Hajnaj dorëzoi një kërkesë në KLP, ku kërkoi riemërim në postin që mban, të drejtë që ja jep ligji. KLP i ka shmangur kërkesat e saj, ndërkohë që SPAK po punon për të emërur një drejtues të ri.

Komisioni i përbërë nga Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme dhe dy prokurorë të posaçëm me më shumë vite eksperiencë pune si prokuror, pas një procesi rekrutimi të hapur dhe transparent, rekomandojnë një kandidat për Drejtor të Byrosë Kombëtare të Hetimit, i cili emërohet nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë. Drejtori emërohet për një mandat 5-vjeçar, me të drejtë riemërimi një herë”, thuhet në nenin 30.

Por SPAK ka mbajtur qëndrime të ndryshme. Një herë ka bërë shpalljen për drejtues të ri. Më pas reagoi në media duke bërë me dije se rihapja e garës ka të bëjë vetëm me zonjën Hajanaj, e cila duhet të aplikojë për rikandim dhe nëse nuk plotëson kushtet, hapet gara për emra të tjerë. Por në një letër dërguar ndërkombëtarëve, SPAK flet për emërimin e një emri të ri.

Vetë zonja Hajanj ka refuzuar të aplikojë në garën e hapur, pasi sipas saj, ligjin i jep të drejtën që të ketë dhe një tjetër mandat, pa pasur nevojë të dalë para një komisioni nëse plotëson apo jo kriteret. Pra refuzoi lojërat e SPAK. 

“Pamfleti” ka raportur më herët se prej më shumë se një viti, komunikimi mes drejtoreshës së Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), Aida Hajnaj, dhe kreut të SPAK-ut, Altin Dumani, është kufizuar vetëm në shkëmbimin formal të shkresave përmes sekretarive, e-maileve dhe postës zyrtare.

Shkak për këtë situatë është bërë pakënaqësia e vazhdueshme e hetuesve të BKH-së ndaj mënyrës se si prokurorët e SPAK-ut trajtojnë çështjet hetimore. Prokurorët e SPAK-ut akuzohen nga BKH për akuza të cunguar, mungesë orientimi të hetimeve drejt veprave penale reale, si dhe përjashtimin e subjekteve dhe personave të caktuar nga hetimet, për shkak të lidhjeve politike dhe klienteliste.

Një nga rastet kryesore që ka kulmuar konfliktin mes Hajnajt dhe Dumanit është dosja e ndërtuesit Fatmir Bektashi, i cili është nën hetim për krime ekonomiko-financiare dhe aktualisht është nën masën e lehtë të sigurisë, "Detyrim paraqitje". Hetuesit e BKH-së dorëzuan te prokurorët Arben Kraja dhe Enkeleda Millonai prova të shumta që e identifikonin Bektashin si personin kyç të një skeme të gjerë mashtrimesh dhe pastrimi parash në bashkëpunim me Jamarbër Malltezin dhe Xhimi Begenë, veçanërisht në lidhje me kullat “Partizani”. Por ai ja hodhi paq.

Tani kreun e BKH do ta zgjedhin Dumani me dy kolegë të tij dhe SPAK do kthehet në një bunker, ku të gjithë i binden kryetarit.

Shpallja e SPAK

Bazuar në ligjin nr. 95/2016 “Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar”, nenin 6, nenin 33, pikat 2 dhe 3, nenin 34, nenin 37, nenin 38, pikat 2 dhe 3, Urdhrin nr. 11794, datë 07.04.2025 “Për ngritjen e Komisionit të Përzgjedhjes së Drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit” të Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Vendimin nr.5 datë 22.05.2025 të Komisionit të Përzgjedhjes së Drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit, shpall thirrjen e hapur për aplikim për pozicionin “Drejtor i Byrosë Kombëtare të Hetimit”.

Procedura e përzgjedhjes kryhet në fazat si vijon:

a) Ekzaminimi paraprak i aplikimit;

b) Vizitë mjekësore dhe test për aftësitë fizike;

c) Provim i zgjeruar me shkrim (Ese) dhe test për arsyetimin logjik;

d) Testi i poligrafit dhe intervistë në panel;

e) Verifikim figure, deklarim i pasurisë;

f) Identifikimi i kandidatit fitues, trajnimi dhe emërimi.

Për fazën e shqyrtimit të Aplikimit:

Kandidati duhet të plotësojë aplikimin on line (linku http://spak.gov.al/ëp-content/uploads/2025/05/Formulari-aplikim-Drejtor-BKH.docx ) duke dorëzuar në formë elektronike të firmosur dhe skanuar, në adresën e-mail: [email protected], si dhe fizikisht në protokollin e Prokurorisë së Posaçme:

Formularin e aplikimit on line.

Dokumentacionin dhe vërtetimet për plotësimin e kritereve të përzgjedhjes për pozicionin e Drejtorit të BKH-së të përcaktuara në nenin 34, pika 2 të Ligjit nr. 95/2016, si më poshtë:    

a) ka përfunduar ciklin e dytë të studimeve universitare për drejtësi me diplomë të barasvlershme me “Master i shkencave”, ose arsimin e lartë policor;

b) ka eksperiencë pune si prokuror, punonjës i Policisë së Shtetit apo Policisë Gjyqësore ose hetues i Byrosë Kombëtare të Hetimit;

c) ka përvojë pune të paktën 5 vjet në çështje që kanë të bëjnë me veprat penale në fushën e korrupsionit, krimit të organizuar apo krimeve të rënda;

ç) nëse ka qenë apo është punonjës i Policisë së Shtetit, të ketë mbajtur për jo më pak se 3 vjet gradën “Komisar”, “Kryekomisar”, “Drejtues” apo “Drejtues i Parë”;

d) të mos jetë në hetim apo gjykim për një vepër penale, të mos ndodhet në kushtet e pazgjidhshmërisë në një funksion publik, sipas ligjit nr. 138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, të ndryshuar, si dhe të nënshkruajë formularin e vetëdeklarimit në zbatim të atij ligji;

dh) nuk ka mbajtur funksione politike në administratën publike ose funksione drejtuese në partitë politike të paktën gjatë dhjetë viteve të fundit përpara momentit të kandidimit;

e) ka marrë vlerësim maksimal për aftësitë e tij profesionale, etike dhe integritetin moral, nëse i është nënshtruar vlerësimeve të mëparshme, sipas legjislacionit në fuqi;

ë) ndaj tij nuk është marrë masa disiplinore e “shkarkimit nga detyra”, ose ndonjë masë tjetër disiplinore, e cila është ende në fuqi sipas legjislacionit në momentin e kandidimit;

f) të mos ketë qenë dhe të mos jetë bashkëpunëtor, informator ose agjent i ndonjë shërbimi inteligjent;

g) në periudhën 29.11.1944 – 2.7.1991 të mos ketë qenë anëtar ose kandidat i Byrosë Politike, anëtar i Komitetit Qendror të Partisë së Punës të Shqipërisë, anëtar i Presidiumit të Kuvendit Popullor, Kryetar i Gjykatës së Lartë, Prokuror i Përgjithshëm, Kryetar i Hetuesisë së Përgjithshme, anëtar i Këshillit të Ministrave, kryetar i degëve të punëve të brendshme, punonjës i organeve të ish-Sigurimit të Shtetit, bashkëpunëtor i ish-Sigurimit të Shtetit apo i favorizuar, anëtar i Komisionit Qendror të Dëbim-Internimeve, hetues, prokuror, gjyqtar në procese politike, denoncues apo dëshmitar i akuzës në proceset politike të posaçme;

gj) të japë pëlqimin për t’iu nënshtruar testit të poligrafit. Informacioni në raportin e përgatitur nga specialisti i poligrafit mbahet në konsideratë gjatë procesit të përzgjedhjes.

Kandidatët duhet të paraqesin dokumentacionin e nevojshëm brenda datës 06.06.2025. Dokumentacioni duhet të dorëzohet pranë Sektorit të Arkiv-Protokollit të Drejtorisë së Dokumentacionit dhe Burimeve Njerëzore të Prokurorisë së Posaçme në një zarf të mbyllur, i cili i drejtohet Komisionit të Përzgjedhjes së Drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit.

Kandidatët duhet të plotësojnë të gjitha rubrikat e Formularit të Aplikimit. Nëse një fushë apo informacion nuk është mbushur, nuk është i lexueshëm, ose është i pakuptueshëm, aplikimi do të refuzohet. Gjithashtu, nëse formulari i dorëzuar nuk tregon se aplikanti përmbush minimumin e kritereve të përcaktuara në ligjin 95/2016, aplikimi do të refuzohet. /Pamfleti

Lini një Përgjigje