TAGS-AT E JAVËS

Dosja e zezë 8 Maj 2025, 10:50

Hetimet mbi Fatmir Bektashin, shkaku i përplasjes SPAK-BKH, mes Altin Dumanit dhe Aida Hajnajt

Shkruar nga Pamfleti

Hetimet mbi Fatmir Bektashin, shkaku i përplasjes SPAK-BKH, mes Altin

Prokurorët e SPAK akuzohen për fshehje provash dhe favorizime ndaj ndërtuesit Bektashi, drejtoresha e BKH, Hajnaj denoncon rastin te FBI dhe KLP...

Prej më shumë se një viti, komunikimi mes drejtoreshës së Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), Aida Hajnaj, dhe kreut të SPAK-ut, Altin Dumani, është kufizuar vetëm në shkëmbimin formal të shkresave përmes sekretarive, e-maileve dhe postës zyrtare.

Shkak për këtë situatë është bërë pakënaqësia e vazhdueshme e hetuesve të BKH-së ndaj mënyrës se si prokurorët e SPAK-ut trajtojnë çështjet hetimore. Prokurorët e SPAK-ut akuzohen nga BKH për akuza të cunguar, mungesë orientimi të hetimeve drejt veprave penale reale, si dhe përjashtimin e subjekteve dhe personave të caktuar nga hetimet, për shkak të lidhjeve politike dhe klienteliste.

Një nga rastet kryesore që ka kulmuar konfliktin mes Hajnajt dhe Dumanit është dosja e ndërtuesit Fatmir Bektashi, i cili është nën hetim për krime ekonomiko-financiare dhe aktualisht është nën masën e lehtë të sigurisë, "Detyrim paraqitje".

Hetuesit e BKH-së dorëzuan te prokurorët Arben Kraja dhe Enkeleda Millonai prova të shumta që e identifikonin Bektashin si personin kyç të një skeme të gjerë mashtrimesh dhe pastrimi parash në bashkëpunim me Jamarbër Malltezin dhe Xhimi Begenë, veçanërisht në lidhje me kullat “Partizani”.

Sipas BKH-së, Bektashi akuzohet për fshehjen e mbi 110 milionë eurove të ardhura nga shitjet e apartamenteve dhe njësive tregtare nëpërmjet kontratave të dyfishta, falsifikimeve të dokumenteve, evazionit fiskal dhe grabitjeve të pronave publike.

Megjithatë, prokurorët Kraja dhe Millonai, sipas raportimeve të BKH-së, kanë shpërfillur provat e mbledhura nga hetuesit dhe kanë hequr nga dosja hetimore elementë kyç, duke kërkuar një masë lehtësuese për Bektashin.

Kundër këtij veprimi ka reaguar zyrtarisht Aida Hajnaj, duke kërkuar sqarime nga kreu i SPAK-ut, Altin Dumani. Mirëpo, ky i fundit ka mbështetur vendimet e prokurorëve të SPAK-ut duke çuar në gjykatë një dosje të "pastruar" nga akuzat e rënda.

Përplasja mes dy drejtuesve është intensifikuar sërish gjatë hetimit të një dosjeje tjetër që lidhet me kryetarin e Bashkisë së Tiranës, ku prokurori Ols Dado gjithashtu akuzohet për eliminimin e provave që implikojnë rëndë Fatmir Bektashin.

Për këto raste, drejtoresha e BKH-së, Aida Hajnaj, ka raportuar zyrtarisht në Këshillin e Lartë të Prokurorisë, Inspektoratin e Lartë të Drejtësisë dhe stafin e FBI-së në SPAK, duke përfshirë jo vetëm rastin e Bektashit, por edhe 33 raste të tjera të favorizimeve të zyrtarëve të lartë, politikanëve dhe oligarkëve nga prokurorët e SPAK-ut.

Pyetja që mbetet ende pa përgjigje është se cila "magji" e ka shpëtuar Bektashin nga masa e arrestit, duke qenë se Kodi Penal parashikon qartë se për krime të kësaj natyre duhet aplikuar masa "Arrest në burg"./Pamfleti

fatmir bektashi aida hajnaj altin dumani përplasja për hetimin

Lini një Përgjigje