
Temperaturat e larta përkeqësojnë shëndetin mendor të qytetarëve. Sipas mjekëve, këto ditë të nxehta sjellin probleme psikologjike. Sipas psikiatrit Kadri Haxhihamza neurozat janë sëmundjet më të shpeshta që i nxehti përvëlues i nxjerr në pah.
“Nxehtësia e diellit, rrezet ultra violet dhe infra të kuqe ndikojnë mbi trurin e njeriut. Së pari e godasin kokën, nëse koka nuk është mirë e mbrojtur mund të paraqiten çrregullime të ndryshme por dhe këto që i përmendëm, d.m.th. të përkeqësohen idetë paranoide. Se cila gjendje më tepër potencohet gjatë kësaj periudhë të nxehtë unë iu tregoj për neurozat, neurozat janë një grup i sëmundjeve…më thjesht ato mundemi t’i definojmë si sëmundje në bazë nervore. Gjatë kësaj kohe të nxehtë, të thatë disa njerëz nuk munden të marrin frymë, kanë probleme me mushkëritë, me frymëmarrjen, zemra nuk funksionon mirë. Por nëse i bëni testet, do shihni se nuk ka asnjë sëmundje, por e gjitha është psikologjike”, tha Kadri Haxhihamza.
Vendi do mbetet nën valën e të nxehtit përvëlues deri në fund të kësaj jave. Meteorologët presin që nga java e ardhshme të ketë një rënie të lehtë e cila nuk do zgjasë shumë.
“Nesër do jetë përsëri shumë nxehtë, në Veri nuk do ketë erë, dhe kështu në Shkup do kemi temperature për 1-2 gradë më të larta se sot. Nesër temperaturat do jenë në interval prej 34-41 gradë celcius. Republika do vazhdojë të jetë në fazën portokalli nën masën e temperaturave të larta dhe do zgjasin dhe ditëve në vazhdim. Të enjten edhe pse do kemi reshje të pakta në zonat malore përsëri temperaturat do jenë deri në 42 gradë celsius. Deri në fund të javës do mbizotërojnë temperaturat deri në 42 gradë ndërsa të dielën do kemi një freskim të vogël, një ulje të paktë të temperaturave të cilin do ta ndjejmë të hënën”, u shpreh Boris Sekirarski.
Për shkak të temperaturave të larta, qeveria rekomandon lirimin nga puna të grave shtatzëna dhe të moshuarve mbi 60 vjeç. Nëpër çerdhe të mos praktikohen aktivitete fizike në ambiente të jashtme, orari i punës në ekspozim të drejtpërdrejtë në diell gjatë periudhës nga ora 11.00 – 17.00 të evitohet, ndërkaq mjekët rekomandojnë konsumim sa më të madh të lëngjeve dhe ushqimeve të freskëta si dhe veshmbathje adekuate për temperature të larta.
Lini një Përgjigje