Shoqëria civile po mban ditën e sotme një protestë të heshtur para Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion. Përfaqësues të shoqërisë civile mbajnë në duar disa pankarta me mesazhe për organet e larta të drejtësisë.
“Ku është floriri i Kërrabës?; Pse u lejua vizita e kryeministrit të Greqisë për të vizituar Himarën?; Hetoni evazionin fiskal të hidrokarbureve; Përse nuk kërkon kryeministri i Shqipërisë të vizitojë Çamërinë?”; Kush e pengon votën e diasporës?; Kush ja fali Detin Greqisë?”; Pse e vranë Kosta Trebickën?; Kush e vrau Remzi Hoxhën, e duam trupin”, kanë qenë disa prej pankartave të kësaj proteste të heshtur.
Këto janë disa nga çështjet ‘pikante’ që nuk kanë marrë ende zgjidhje. Prokuroria e Posaçme ka turbulluar ujërat në klasën politike. Goditjet në radhët e socialistëve hodhën në sulm kryeministrin Edi Rama, ndërsa prej vitesh të tëra SPAK po sulmohet si nga Sali Berisha ashtu dhe nga Ilir Meta.
Gjykata e Posaçme e Shkallës së parë, me vendim të datës 30 nëntor 2022, ka urdhëruar SPAK-un që të regjistrojë procedim penal për vjedhjen e 280 kg ar në tunelet e sigurisë së lartë në Krrabë gjatë trazirave të vitit 1997, ngjarje për të cilën Sali Berisha dhe Ilir Meta kanë akuzuar njëri-tjetrin.
Gjykata ka urdhëruar gjithashtu SPAK-un që hetojë pasurinë e Ilir Metës dhe Sali Berishës, nëse është deklaruar sipas ligjit dhe nëse ka apo jo lidhje me vjedhjen e thesarit të shtetit
Një tjetër ndër aferat më të mëdha është padyshim marrëveshja CEZ-DIA, ku janë paditur ish-kryeministri Sali Berisha dhe presidenti Ilir Meta. Dosja e dytë është ajo e Kompleksit Partizani. Nuk duhet harruar dosja e Gërdecit. Nën hetim është Fatmir Mediu, por nëse SPAK mund të thellohet, mund të rrezikohet Shkëlzen Berisha, djali i ish-kryeministrit. Një dosje që mund të shkundë klasën politike është ajo e vrasjes së bankierit Artan Santo. SPAK ka rihapur hetimet dhe falë dëshmitarëve të penduar ka zbuluar shumë të dhëna.
Topi tani është në fushën e SPAK dhe nëse prokurorët duan ta shkundin këtë klasë politike, kanë material boll. Ajo që vihet re është se të gjithë janë trembur, megjithatë tani lëvizja i takon Prokurorisë së Posaçme
Lini një Përgjigje