Kreu i KLSH-së Arben Shehu, tha në komisionin e Ekonomisë se një sërë shkeljesh janë konstatuar edhe në fushën e koncesioneve.
Sipas tij, shkeljet më të mëdha e koncesioneve janë, mungesa e monitorimit të plotë të tyre, si dhe janë identifikuar pagesat në koncesionet e shëndetësisë edhe pse nuk është përmbushur niveli i shërbimit të kontraktuar.
“Në fushën e koncesioneve, janë konstatuar shkelje të kritereve të financimit, mangësi në monitorim dhe në vlerësimin e efekteve buxhetore afatgjata. Në disa raste është vijuar me pagesa për shërbime që nuk janë kryer, ose që janë kryer në vëllime më të ulëta se projeksioni. Fenomene të tilla janë vërejtur në kontrata të rëndësishme në fushën e shëndetësisë, ku raportimi i shpenzimeve ka tejkaluar buxhetet e miratuara dhe detyrimet janë likuiduar në kundërshtim me përmbajtjen kontraktore, përfshirë edhe TVSH-në”, u shpreh Shehu.
Gjithashtu, Shehu thekson se nga auditimet e kryera me fokus në Shëndetësi kanë zbuluar një sërë problemesh, sa i takon mungesës së inxhinierëve bio–mjekësorë si dhe të kapaciteteve për të trajtuar pacientët me probleme të shëndetit mendor.
“Në sektorin e shëndetësisë, janë konstatuar problematika në menaxhimin dhe shpërndarjen e pajisjeve mjekësore, veçanërisht për shkak të mungesës se inxhinierëve bio – mjekësorë, në spitalet si QSUNT dhe Spitali i Traumës, duke sjellë varësi nga shërbimet e jashtme dhe kosto të larta dhe menaxhim të pasigurt të burimeve. Po ashtu shpërndarja e pajisjeve nuk përputhet me nevojat reale të popullsisë. Përkujdesja për pacientët me probleme të shëndetit mendor mbetet e pamjaftueshme. Auditimi evidentoi mungesën e një qasjeje, ndërsa spitalet psikiatrike përballen me mungesa serioze në kapacitetet e akomodimeve dhe shërbimeve”, tha Shehu.
Lini një Përgjigje