Një vendim gjyqësor i formës së prerë për pronë bujqësore sipas ligjit 7501 nuk po zbatohet, sepse prona u tjetërsua gjatë gjykimit dhe ky tjetërsim u regjistrua e u mbajt aktiv nga ASHK Tiranë Rurale nr. 2, e drejtuar nga Eni Sejdinaj, e cila në kthim-përgjigjen zyrtare refuzoi regjistrimin e vendimit të gjykatës duke i dhënë efekt juridik kontratave të dhurimit të kryera një ditë para Apelit, një veprim që ka ndaluar ekzekutimin e drejtësisë dhe ngre dyshime serioze për abuzim me detyrën dhe korrupsion, çështje që kërkon hetim penal
Çështja lidhet me një pronë bujqësore të përfituar sipas ligjit 7501, për të cilën ekziston një vendim gjyqësor i formës së prerë që urdhëron kthimin dhe regjistrimin e pronës në emër të familjes bujqësore, por që në praktikë nuk zbatohet, sepse gjatë kohës që çështja ishte ende në gjykim prona është tjetërsuar dhe ky tjetërsim është mbajtur aktiv në regjistër nga ASHK Tiranë Rurale nr. 2, e cila më pas e ka përdorur pikërisht këtë fakt për të mos zbatuar vendimin e gjykatës.
Prona i përket familjes bujqësore të Petrit Bardhit dhe është dokumentuar që në vitin 1991 me certifikatë familjare, ku figurojnë Sanie Bardhi, Alban Bardhi, Çezar Bardhi dhe Kumrije Bardhi, certifikatë që shërben si bazë për përfitimin sipas ligjit 7501 dhe mbi të cilën gjykata ka ndërtuar vendimin e saj, duke urdhëruar fshirjen e regjistrimeve të mëvonshme dhe regjistrimin e pronës në emër të familjes bujqësore.
Gjatë viteve, prona është regjistruar në emër të Qemal Bardhit dhe Fiqiri Bardhit, persona që nuk rezultojnë përfitues sipas ligjit 7501, çka ka sjellë hapjen e procesit gjyqësor që është mbyllur me vendimin nr. 4636, datë 25.05.2017, të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, vendim i cili është lënë në fuqi nga Gjykata e Apelit më 20.11.2024, duke i dhënë çështjes formë të prerë dhe duke e bërë vendimin të detyrueshëm për zbatim.
Një ditë përpara shpalljes së këtij vendimi përfundimtar, më 19.11.2024, Qemal Bardhi dhe Fiqiri Bardhi kanë lidhur kontrata dhurimi dhe kanë kaluar pronat objekt gjykimi te djemtë e tyre, Bledi Qemal Bardhi dhe Denis Fiqiri Bardhi, duke kryer një tjetërsim brenda familjes, gjatë gjykimit dhe pa asnjë transaksion ekonomik real, veprim që ka ndryshuar pronarin vetëm në letra.
Ky tjetërsim është regjistruar në Kadastër dhe është mbajtur si gjendje juridike aktive, ndërkohë që pas zbardhjes së vendimit të Apelit është paraqitur kërkesa për regjistrimin e vendimit gjyqësor, por ASHK Tiranë Rurale nr. 2 ka kthyer përgjigje negative, duke pranuar se pasuritë kanë pësuar transaksione gjatë kohës së gjykimit dhe duke deklaruar se nuk mund të zbatojë vendimin, sepse pronarët aktualë në regjistër nuk kanë qenë palë në proces.

Kjo përgjigje mban firmën e Drejtorisë Vendore ASHK Tiranë Rurale nr. 2 dhe është e nënshkruar nga znj. Eni Sejdinaj, e cila në këtë rast ka marrë një vendim konkret administrativ që ka ndaluar zbatimin e një vendimi gjyqësor të formës së prerë, duke i dhënë efekt juridik një kontrate dhurimi të kryer gjatë gjykimit dhe duke e mbajtur atë mbi vendimin e gjykatës.
Në praktikë, ky veprim ka sjellë ndalimin e ekzekutimit të vendimit, fakt i konstatuar edhe nga përmbaruesi privat Shpëtim Allamani, i cili pasi ka nisur procedurat e ekzekutimit dhe ka hasur pengesën e krijuar nga tjetërsimi i regjistruar, e ka referuar çështjen në prokurori si pengesë e krijuar për zbatimin e drejtësisë.
Në këtë pikë, çështja nuk është më vetëm një konflikt pronësie, sepse gjykata ka vendosur, por një problem i rëndë institucional që lidhet me rolin e ASHK Tiranë Rurale nr. 2 në mbajtjen aktive të një tjetërsimi të kryer gjatë gjykimit dhe në ndalimin faktik të një vendimi të formës së prerë, çka ngre pyetje të drejtpërdrejta për mënyrën si janë marrë këto vendime dhe për arsyet reale pse një vendim gjyqësor nuk zbatohet.
Këto janë pyetje që kërkojnë përgjigje zyrtare dhe hetim, sepse nëse mjafton një kontratë dhurimi e lidhur një ditë para Apelit dhe një vendim administrativ i ASHK-së për të bllokuar drejtësinë, atëherë çdo vendim gjyqësor mbi pronën mbetet i cenueshëm nga e njëjta skemë. /Pamfleti
po kjo eshte normale per ashk ....do ish habe te ndodhte ndryshe ! eshte institucioni me i erret ne shqiperi pas gjyqsor dhe prokurori ,ku pos pagove ta harrosh se mbaron pune ! por ka me keq sia mban kujt me u mar me ta ...cfaredo pozicioni kane ne qeveri ,i sfidoj publikisht te vertetojne te kunderten
Korupsion i gjalle
Ligji 7501 dhe gjithë derivatet e tij , ishin ligje antikombëtare dhe me pasoja katastrofike për shtetin. Politikbërësit kanë përgjegjësi morale dhe penale për katrahurën që gatuan. Janë ata që sot kërkojnë t'ja lënë stafetën njeri tjetrit.