TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet11 Dhjetor 2025, 08:39

KLP zgjedh sot kreun e ri të SPAK, mbërrijnë përfaqësuesit e SHBA

Shkruar nga Pamfleti
KLP zgjedh sot kreun e ri të SPAK, mbërrijnë
KLP zgjedh sot kreun e ri të SPAK

Këshilli i Lartë i Prokurorisë zhvillon këtë të enjte, 11 dhjetor 2025, një nga mbledhjet më të rëndësishme të vitit, atë për zgjedhjen e drejtuesit të ri të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).

Procesi nis në orën 09:00, me intervistimin e katër kandidatëve që garojnë për postin më të lartë të strukturës speciale.

Ndërkohë kanë mbërritur në mbledhje përfaqësuesit e SHBA-së të cilët do të monitorojnë procesin.

KLP zgjedh sot kreun e ri të SPAK, mbërrijnë
Zgjedhja e kreut të ri të SPAK, përfaqësuesit e ambasadës amerikane mbërrijnë në KLP

Sipas rendit alfabetik, para anëtarëve të KLP-së do të paraqiten Adnan Xholi, Doloreza Musabelliu, Elvin Gokaj dhe Klodian Braho (lexo më shumë për katër kandidatët). Secili prej tyre do të ketë mundësinë të prezantojë vizionin dhe platformën e drejtimit të SPAK-ut, ndërsa më pas do t’u përgjigjen pyetjeve të anëtarëve të Këshillit, siç parashikohet nga procedurat zyrtare.

Pas përfundimit të intervistimeve, KLP-ja do të kalojë në votim për të përzgjedhur drejtuesin e ri të SPAK-ut, i cili zgjidhet me shumicën e votave të anëtarëve të pranishëm. Për zhvillimin e mbledhjes duhet të jenë të pranishëm të paktën shtatë anëtarë të Këshillit.

Pasuesi i Altin Dumanit, detyra merret më 19 dhjetor

Emri që do të zëvendësojë kreun aktual, Altin Dumanin, pritet të shpallet brenda ditës së sotme. Megjithatë, marrja zyrtare e detyrës do të ndodhë më 19 dhjetor 2025, datë në të cilën do të zhvillohet edhe ceremonia e dorëzimit të kompetencave përmes një daljeje publike për mediat.

Kreu i ri i SPAK-ut do të ketë kompetencën të emërojë drejtuesit e dy seksioneve kryesore: atë të Korrupsionit dhe atë të Krimit të Organizuar dhe Terrorizmit. Aktualisht, shef i seksionit të Korrupsionit është Klodian Braho, ndërsa shef i seksionit të Krimit të Organizuar dhe zv/drejtues i SPAK-ut, Adnan Xholi. Po ashtu, drejtuesi i ri do të zgjedhë koordinuesin e marrëdhënieve me jashtë, post i mbajtur aktualisht nga prokurorja Dorina Bejko.

Pritshmëritë e ndërkombëtarëve

Zhvillimi i sotëm ka marrë vëmendje të veçantë edhe nga partnerët ndërkombëtarë. Ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë, Silvio Gonzato, gjatë një takimi me anëtarët e Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë, theksoi rëndësinë e procesit dhe nevojën për integritet maksimal.

Ai u shpreh besimplotë se KLP-ja do të tregojë përgjegjshmëri të lartë dhe do të sigurojë që SPAK të drejtohet nga një person i pavarur, profesionist dhe i përkushtuar ndaj standardeve që kërkon BE-ja.

Edhe Ambasada e Britanisë së Madhe reagoi përmes një deklarate zyrtare në rrjetet sociale, duke e cilësuar zgjedhjen e kreut të SPAK “një hap të rëndësishëm për forcimin e shtetit të së drejtës dhe luftës kundër korrupsionit”. Ambasada britanike theksoi se procesi duhet të jetë “i lirë, i drejtë dhe transparent”, ndërsa shtoi se pret të bashkëpunojë me cilindo prej pretendentëve që do të marrë postin.

Reagime ka patur edhe në skenën politike. Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, i cili më 1 dhjetor u paraqit në SPAK në zbatim të masës “detyrim paraqitje” për çështjen “Partizani”, komentoi procesin e zgjedhjes së kreut të ri. I pyetur nga gazetarët nëse do ta njohë drejtuesin që do të zgjidhet këtë muaj, Berisha tha se shpreson që ai “të mos jetë i kapur nga krimi”, duke shtuar se ai respekton çdo institucion që zbaton ligjin.

klp zgjedh sot kreun e ri të spak

Lini një Përgjigje