
Gazetari Artan Hoxha tha se akuza për të cilën është vënë në pranga Ervin Muça, drejtor i teknologjisë dhe informacionit në Policinë e Shtetit, nuk është shkelja e parë e tij.
I ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit”, Hoxha tha se emri i Muçës lidhet me skandalin e publikimit të pagave tri vjet më parë. Sipas Hoxhës, Muça ka qëndruar në detyrë pavarësisht skandalit të të dhënave të sistemit TIMS. Muça vjen nga një e shkuar problematike me ligjin në Itali.
“Ai ka qenë në sistem, i ka shërbyer sistemi. Nxorën të dhënat e pagave, numrat e telefonit, targat, gjobat etj. Atë që ka bërë te tatimet është shumë më e rëndë se kjo. Por pavarësisht kësaj, ai u ngrit në detyrë.
Punonjësit dhe shefi i sektorit kanë njoftuar Policinë e Shtetit. AMP ka filluar hetimin e çështjes, ka kërkuar pezullimin e tij dhe e ka çuar dosjen në prokurori. Ky është pezulluar dhe pas pezullimit është kthyer në punë. Edhe pse AMP bëri referim në prokurori, nuk u bë asnjë veprim. Hetimi nuk ishte i shpejtë.
Vetëm pasi çështja u mediatizua nisi hetimi, pra për një muaj e ca nuk u bë asnjë veprim. Ka vazhduar të jetë drejtor derisa u mor vendimi për ndalimin. Janë më shumë se 8 muaj që ai ka qëndruar në detyrë. Ky zotëria ka pasur periudhë problematike në Itali, por nuk e ka deklaruar. Ky person për asnjë arsye nuk duhej të ishte aty. Ende nuk na e thonë nëse ky ka hyrë në sistem për të dnryshuar të dhënat e veta apo për tjetër arsye? Ata që u rezistuan urdhrave të tij janë vënë edhe nën presion”, tha Hoxha.
Lini një Përgjigje