
Ish-ministri Ilir Beqaj ka kundërshtuar një faturë prej 120 mije lekë të rinj në Gjykatën e Posaçme.
Gjykata e Posaçme ka shtyrë për datën 11 mars në orën 12:30 seancën për ish-ministrin e Shëndetësisë Ilir Beqaj për të vendosur nëse do të pranojë kërkesën e tij për detyrimin e prokurorëve që ta pajisë me aktet e hetimit paraprak.
Gjatë seancës avokati i Beqajt, Ermal Yzeiraj ka pretenduar se Prokuroria e Posaçme ka vlerësuar se skanimi i akteve kushton mbi 1 milion e 200 mijë lekë të vjetra që duhen shlyer nga pala kërkesë që ti vihen në dispozicion.
Avokati pretendon se në bazë të ligjit, se pala nën akuzë, paguan shpenzime gjyqësore vetëm nëse dënohet me vendim të formës së prerë.
SPAK kërkoi nga Gjykata e Posaçme rrëzimin e kërkesës, ndërsa gjyqtari Erion Bani ka vendosur që në seancën e radhës organi i akuzës të paraqesë provat, duke iu dhënë kohë që mbrojtjes iu la kohë ta paraqesin kërkesën sipas formës së kërkuar nga ligji.
Ndaj ish-ministrit, Ilir Beqaj Gjykata e Posaçme caktoi masën detyrim paraqitje dy herë në muaj në prokurori, për akuzën shpërdorim detyre në mesin e muajit nëntor të 2023.
Hetimi bën fjalë për shkeljet e pretenduara nga SPAK, në koncesionin e sterilizimit me vlerë 100 milionë euro dhe afat 10-vjeçar, të fituar nga biznesmeni Ilir Rrapaj tashmë i arrestuar bashkë me ish-zv.ministrin e Shëndetësisë, Klodian Rrjepaj.
Beqaj gjithashtu është person nën hetim për çështjen e check -up dhe disa ditë më parë iu kontrollua banesa pasi ka dyshime se ka abuzuar edhe me fondet e SASPAC.
Si nisën hetimet?
Prej tre vitesh SPAK ka nisur një hetim në lidhje me tenderin e sterilizimit me vlerë 100 mln euro, që u fitua nga Ilir Rrapaj.
Ky i fundit ishte një biznesmen i panjohur në qarqet e biznesit në Shqipëri deri në vitin 2013. Para se socialistët të vinin në pushtet, ai ishte pronari i një agjencie ndërmjetësimi si edhe i një kompanie modeste ndërtimi me qendër në Peruxhia të Italisë.
Një kompani që rezultonte të kishte vetëm një të punësuar në Itali, teksa arriti të fitonte në Shqipëri një tender kaq të lakmuar prej rreth 100 milion dollarësh.
Në lidhje me këtë çështje, disa ditë më parë është paraqitur në SPAK ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqja, pasi koncesioni u dha gjatë kohës që drejtonte Ministrinë e Shëndetësisë. Më herët, është pyetur edhe ish-zëvendësministri Shëndetësisë, Klodian Rrjepaj.
Kujtojmë se në muajin qershor, SPAK tërhoqi dokumentet e sterilizimit dhe chekup në spitalet vendit, lidhur me shërbimet që kryejnë, sasitë dhe pagesat e bëra për koncesionaret që kanë fituar tenderin.
Hetimet e SPAK që zgjasin prej dy vite e gjysmë konstatojnë se koncesioni është dhënë në kundërshtim me ligjin.
Lini një Përgjigje