
Pothuajse të gjitha institucionet e drejtësisë kanë refuzuar pjesëmarrjen në komisionin e posaçëm ‘Antikorrupsion’ të drejtuar nga deputeti socialist Fatmir Xhafa.
Pas SPAK, Gjykatës së Lartë dhe ILD, edhe Prokuroria e Përgjithshme ka konfirmuar në një reagim për mediat se nuk do të marrin pjesë me ekspertë në punën e komisionit.
Prokuroria e Përgjithshme sqaron se do të bashkëpunojë me komisionin për të dhënë opinione në çdo çështje të natyrës teknike që lidhet me kuadrin kushtetues e ligjor sa i takon drejtësisë, por nuk mund të bëhen pjesë e komisionit.
Megjithatë, shton se kanë njoftuar komisionin për caktimin e pikave të kontaktit të institucionit sipas fushave përkatëse të ekspertizës.
Këta të fundit do të bashkëpunojnë me komisionin në formën e dhënies së opinioneve mbi produktet e punës së këtij të fundit në të gjitha rastet që do t’u kërkohet prej tij.
“Prokuroria e Përgjithshme ka shprehur vullnetin të bashkëpunojë me Komisionin e Posaçëm Parlamentar “Për thellimin e Reformave për Mirëqeverisjen, Sundimin e Ligjit dhe Antikorrupsionin për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Evropian” për çdo çështje të natyrës teknike që lidhet me kuadrin kushtetues e ligjor brenda të cilit funksionon prokuroria dhe sistemi i drejtesisë.
Prokuroria nuk do të marrë pjesë me ekspertë si pjesë të nëngrupit të punës së komisionit, por ka njoftuar komisionin për caktimin e pikave të kontaktit të institucionit sipas fushave përkatëse të ekspertizës, të cilët do të bashkëpunojnë me komisionin në formën e dhënies së opinioneve mbi produktet e punës së këtij të fundit në të gjitha rastet që do t’u kërkohet prej tij”, thuhet në reagim.
Lini një Përgjigje