TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet13 Nëntor 2024, 10:31

Ilir Beqaj mbërrin me pranga në duar për herë të dytë në Kuvend, kujdeset t'i mbulojë me xhup 

Shkruar nga Pamfleti
Ilir Beqaj mbërrin me pranga në duar për herë të
Ilir Beqaj

Ilir Beqaj ka mbërritur me pranga në duar teksa do të dëshmojë sërish në komisionin hetimor parlamentar.

Në pamundësi për t’i marrë dëshminë një ditë më parë ish-ministrit të Shëndetësisë Ilir Beqaj, Komisioni Hetimor Parlamentar për Sterilizimin dhe Check-Up do të mblidhet sërish ditën e sotme.

Në kalendarin e punimeve të Kuvendit është përcaktuar ora 10:30 për mbledhjen e këtij komisioni, ku pritet të paraqitet përsëri ish-ministri Beqaj, i cili është thirrur si dëshmitar për rolin e tij si ministër Shëndetësie në kohën kur u firmosën dy kontratat koncesionare.

Të martën, mazhoranca dhe opozita u përfshinë në debate disa orëshe duke mos bërë të mundur dëshminë e Ilir Beqajt.

Debatet nisën pasi Beqaj kërkoi që të bënte fillimisht një prezantim të situatës së tij, duke përdorur “PowerPoint”.

Por opozita e refuzoi kategorikisht me argumentin se në ligj parashikohet një deklaratë e tij si dëshmitar dhe më pas seanca e pyetje-përgjigjeve, dhe jo prezantim me “PowerPoint”.

Nga ana tjetër, mazhoranca socialiste kërkoi nga kryetarja opozitare e komisionit, Albana Vokshi, që kërkesa e Beqajt të hidhej në votim.

Por Vokshi nuk pranonte duke thënë se nuk mund të hedhë në votim një kërkesë të pabazuar në ligj.

Mbi 9 orë diskutime ditën e djeshme përfunduan me polemika dhe pa finalizim, teksa dëshmia e Ilir Beqajt në Komisionin Hetimor të Shëndetësisë dështoi.

Ish-ministri i Shëndetësisë u rikhye në Kuvend me pranga në duar rreth orës 10:30 të së martës, 12 nëntor, i rrethuar nga policë, por i kujdesshëm që prangat të cilat i rrethonin duart, t’i mbulonte me xhaketë për t’i shpëtuar syrit të medias.

Dëshmia e ish-ministrit të Shëndetësisë Ilir Beqja për kontratën miliona euroshe të sterilizimit u mbajt peng nga debatet politike dhe për procedurë të socialistëve dhe demokratëve, ndërkohë shumica kundërshtoi thirrjen e kryeministrit dhe sipërmarrëses Vilma Nushi për shkak të afateve të komisionit.

Kryetarja e Komisionit, deputetja e Partisë Demokratike Albana Vokshi kërkoi që të merret një vendim për të kërkuar sërish zgjatjen e afatit të komisionit në mënyrë që të thirren të gjithë dëshmitarët e lidhur me çështjen, duke përfshirë dhe kryeministrin si përgjegjës për dhënien e këtyre dy koncesioneve dhe biznesmenen Nushi si përfituese direkt në kontratën e Check-up.

ilir beqaj

Lini një Përgjigje