Gjykata e Posaçme ka pranuar kërkesën e Prokurorisë së Posaçme duke vendosur dy masa sigurie për ish-ministrin e Shëndetësisë, Ilir Beqaj për dosjen e koncesionit të Sterilizimit.
Gjykata vendosi dy masat detyrim paraqitje dhe ndalim për të dalë jashtë vendit për Beqjan. Ish-ministri duhet të paraqitet çdo të premte në orën 15:30 në SPAK përpara oficerit të policisë gjyqësore.
Dosja ku po hetohet për shpërdorim detyre dhe shkelje të barazisë në tendera deri tani ka çuar në burg ish-zv/ ministrin Klodjan Rrjepaj dhe fituesin e koncesionit, Ilir Rrapaj për koncesionin e Sterilizimit. Në momentin e parë SPAK e fali Beqjan duke mos dhënë asnjë masë, por gjyqtari Erion Bani i kërkoi prokurorisë që të hetonte rolin dhe pasurinë e ish-ministrit.
Për çfarë akuzohet Ilir Beqaj në dosjen e 'Sterilizimit'?
Ai pritet të merret në pyetje në lidhje me udhëtimet që ish-ministri ka bërë drejt Italisë dhe Vjenës së bashku me ish-zëvendësin e tij Klodian Rjepaj dhe biznesmenin Ilir Rrapaj që fitoi koncesionin.
Të dy këta të fundit janë të arrestuar.
Ndërkaq SPAK ka kërkuar akt ekspertim të kompjuterit, telefonit dhe i-Padit të sekuestruar në banesën e ish-zëvendësministrit të Shëndetësisë Rjepaj.
Ai u arrestua më 17 gusht dhe akuzohet se ka shpërdoruar detyrën dhe ka falsifikuar dokumentet në procedurën e koncesionit për sterilizimin.
Ndërkaq GJKKO ka kërkuar shpalljen e pavlefshme të kontratës së sterilizimit, pas shkeljeve që u konstatuan nga SPAK.
Gjykata i kërkon ILDKP-së “marrjen e masave për ndjekjen e rrugës ligjore për konstatimin e pavlefshmërisë së kontratës koncesionare datë 2 dhjetor 2015 të lidhur mes Ministrisë së Shëndetësisë, përfaqësuar nga Ministri Z.Ilir Beqaj dhe shoqërisë “SaniService” sh.p.k. të përfaqësuar nga administrator Admir Daca”.
Nga ana tjetër, hetuesit kanë shpresë se nga pajisjet elektronike mund të gjenerojnë të dhëna të tjera shtesë për këto hetime, të cilat vijojnë të jenë të hapura edhe për disa ish-zyrtarë të tjerë.
Këtu përfshirë edhe ish-ministrin e Shëndetësisë, Ilir Beqajn, dhe ish-ministrin e Financave, Shkëlqim Canin.
Ndërkaq SPAK ka vërtetuar se ish-zëvendësministri i Shëndetësisë, Klodian Rjepaj, ka pasur njohje me biznesmenin e kompanisë fituese të koncesionit të sterilizimit.
Kjo ndryshe nga sa dy të pandehurit kanë deklaruar.
Rjepaj dhe Rrapaj kanë përfunduar studimet së bashku në fakultetin e Mjekësisë në vitet 1991-1994.
Sipas hetimeve, biznesmeni përdorte makinën e ish-zëvendësministrit të Shëndetësisë për të dalë jashtë Shqipërisë.
Madje në dosje shkruhet se Rrapaj dilte jashtë vendit me makinën që drejtohej nga shoferi i zëvendësministrit.
Jo vetëm kaq, ai ka udhëtuar dhe me ish-ministrin e Shëndetësisë, Ilir Beqja.
“A.LL drejtor në kompaninë koncesionare Saniservice përfundoi studimet bashkë me Rrapaj e Rjepaj. Njohjen mes Rrapaj dhe Rjepaj e konfirmoi një studente tjetër e atyre viteve me inicialet D.N”.
Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka lënë në fuqi të tetë masat e kërkuara nga Prokuroria e Posaçme, SPAK.
SPAK ka lëshuar një mori urdhër-arrestesh, sa i takon një çështjeje, e cila lidhet me dosjen e njohur si “Koncesioni i sterilizimit”, ku në pranga kanë përfunduar aktualisht ish-zëvendësministri i Shëndetësisë, Klodian Rjepaj, si edhe biznesmeni fitues i tenderit, Ilir Rrapaj.
I pari, i akuzuar për shpërdorim detyre dhe i dyti, për mashtrim me pasoja të rënda.
Rrapaj përftoi tenderin me vlerë 100 milionë euro, për ngritjen e një qendre sterilizimi në QSUT, e cila kurrë nuk mori jetë.
Megjithatë, të tjerë persona janë po ashtu të përfshirë në ngjarje.
Në arrest shtëpie, me urdhër të SPAK, janë lënë edhe drejtori ekonomik i Ministrisë, Saimir Kadiu, si edhe drejtoresha juridike, Marsela Serjanaj.
Ka ndërkohë edhe disa urdhra për detyrim paraqitje, ku përfshihet edhe Rektori i Universitetit të Mjekësisë, njëkohësisht shefi i kirurgjisë pranë QSUT, Arben Gjata.
Po ashtu, detyrim paraqitje ka edhe për shtetasit Pertef Mersini, Genc Burazeri dhe Naile Ajazi.
"Afera" e sterilizimit, e-maili drejt Rjepajt nxjerr "zbuluar" ish-ministrin Ilir Beqaj
Një e-mail i dërguar nga ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqja, tek ish-vartësi i tij, Klodian Rjepaj, pak ditë para lidhjes së kontratës koncesionare të sterilizimit, ka ekspozuar faktin se zyrtarët e ministrisë e dinin fituesin.
Ndonëse nuk ishte hartuar ende kontrata koncensionare, përmes një e-maili në 27 tetor 2015 i thotë ish-zv.ministrit Klodiuan Rjepaj: “Pa ardhë përfshirja e Avokatit të Shtetit është shpejt për t’u ulur për kontratë me italianët”.
Gjykata e Posaçme arsyeton se ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj dhe ish-zv.ministri i Shëndetësisë, Klodian Rjepaj ishin në dijeni që fituesit ishin pikërisht personat me të cilët ata kanë pasur komunikime të vazhdueshme, si edhe kanë udhëtuar së bashku me ta jashtë vendit.
Sipas hetimit të SPAK, në të njëjtën kohë rezulton se komunikime të Klodian Rjepajt dhe Umbro Staçinit, biznesmenit italian të SaniService, shoqërisë që fitoi koncesionin, i janë bërë me dije edhe ish-ministrit Beqaj.
Gjykata e Posaçme bën përgjegjës ish-ministrin edhe për faktin se si titullar i autoritetit kontrator, duhet të kishte pezulluar procedurën e prokurimi, në një kohë që ka pasur ankim nga një prej garuesve për koncensionit. Referuar gjykatës, Beqja jo vetëm nuk ka pezulluar procedurën, por as nuk ka ngritur një komision me tre anëtarë, që nuk duhet të ishin pjesë e Komisionit të Koncesionit.
Lini një Përgjigje