Policia e Tiranës, ka arrestuar Kristjan Lukajn, 29 vjeç, banues në Shkodër.
Sërish pas skemës së mashtrimit të biznesmenëve fshihet Florian Gjergji, supermashtruesi që dyshohet se jeton në Gjermani dhe nga atje përgatit skemat për të grabitur paratë e biznesmenëve.
Kësaj here viktimë ka rënë biznesmenja Vilma Nushi.
Të arrestuarit e tjerë janë Alban Gjoni dhe Rudor Balla, që kanë komunikuar me një drejtoreshë të biznesit të Vilma Nushit. Mashtruesit, të drejtuar nga Florian Gjergji, i kanë kërkuar drejtoreshës 50 mijë euro, duke iu prezantuar si pronarja e saj.
Ato i kanë thënë që paratë t'i sillte afër qendrës së Tiranës dhe një person tjetër do t'i merrte për llogari të Nushit. Paratë janë dorëzuar dhe autorët janë larguar.
Në momentin që drejtoresha është takuar me Vilma Nushin, është kuptuar që kanë rënë pre e një mashtrimi dhe më pas është bërë denoncim. Krimi Ekonomik ka mundur të identifikoj personat që kanë kryer mashtrimin dhe është sekuestruar një pjesë e parave.
'DVP Tiranë/Vijon operacioni policor i koduar “Repeat”, i zhvilluar nga Sektori për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme për Operacionet Speciale dhe Kërkimin, në DVP Tiranë.
Vihet në pranga një 29-vjeçar, i cili dyshohet se ka bashkëpunuar me 3 shtetas të tjerë (2 të arrestuar gjatë operacionit, 1 në kërkim), për t’i marrë një shumë parash një shtetasi, me anë të mashtrimit.
Sekuestrohet 1 celular.
Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në vijim të punës për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e krimeve ekonomike, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, kanë vijuar operacionin policor të koduar “Repeat”.
Si rezultat i këtij operacioni u bë ndalimi i shtetasit K. L., 29 vjeç, banues në Shkodër.
Ky shtetas dyshohet se ka bashkëpunuar me shtetasit A. Gj. dhe R. B. (të arrestuar) dhe me shtetasin F. L. (në kërkim), për t’i marrë shumën 50 000 euro, një shtetasi, nëpërmjet mashtrimit, duke u prezantuar si përfaqësues të një personi publik.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua 1 celular.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.', njofton policia.
Lini një Përgjigje