
SPAK ka firmosur 31 urdhërarreste nga të cilat 26 janë ekzekutuar, 5 janë në kërkim.
Një grup kriminal që merrej me trafikimin e shqiptarëve emigrantë drejt Anglisë dhe Irlandës përmes Spanjës është goditur në kuadër të një operacioni të koduar 'Nomadët" nën drejtimin e SPAK dhe i ekzekutuar nga policia e Shtetit.
Drejtori i policisë Muhamet Rrumbullaku doli në një konferencë për të dhënë detaje lidhur me operacionin kundër trafikut të emigrantëve.
Bëhet me dije se SPAK ka firmosur 31 urdhërarreste nga të cilat 26 janë ekzekutuar, 5 janë në kërkim. Mes të arrestuarve është edhe një punonjës policie i nivelit zbatues.
Policia ka zbuluar dhe një laborator ku falsifikoheshin pasaporta të shteteve të BE-së. Gjithashtu janë sekuestruar mijëra euro dhe 10 pasaporta italiane, 120 kontrata noteriale shitblerje pronash të patundshme.
Në konferencë Rrumbullaku ka treguar dhe skemën që përdorte grupi kriminal. Ai tha se kalimi në kufi bëhej me dokumentet e tyre personale të rregullta, ndërsa dokumentet e falsifikuara u niseshin me postë në hotelin ku qëndronin.
Rrumbullaku ka treguar gjithashtu se gjatë operacionit u sekuestruan një sasi parash, drogë, laborator për falsifikimin e dokumenteve dhe automjete.
“Janë sekuestruar 7 automjete, 1 laborator për falsifikimin e parave, 10 pasaporta italiane, një armë zjarri, 10 laptopë, 15 kompjutera që shërbenin për transaksione, lëndë narkotike, 47 aparate celularë dhe varëse floriri. Subjektet kryenin aktivitet të jashtëligjshme, ku merrnin para për të falsifikuar dokumente. Shtetasit shqiptarë largoheshin për në BE me dokumentet e tyre, por dokumentet e falsifikuara u dërgoheshin me postë në hotelet ku rrinin apo rezidencat ku vendoseshin”, tha Rrumbullaku.
SPAK nuk ka dalë me një deklaratë zyrtare për operacionin, por burimet thonë se janë ushtruar kontrolle në 50 ambiente.
Operacioni për arrestimin e të dyshuarve për trafik emigrantësh ka sjellë në vendin tonë edhe hetues nga Spanja, Italia, Kosova, SHBA.
Grupi kriminal akuzohet për trafik emigrantësh, duke u mundësuar atyre kalimin me pasaporta false në rrugë tokësore apo ajrore.
Në operacion, morën pjesë Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, Departamenti i Policisë Kriminale, Forcat Kombëtare të Sigurisë, Shqiponjat dhe patrullat e përgjithshme të DVP Tiranë.
Lini një Përgjigje