Rastet e fundit me hantavirus kanë ngritur shqetësim në disa vende të botës, pas raportimeve për të infektuar në një anije turistike, ku u identifikuan rastet e para.
Situata ka sjellë diskutime mbi mundësinë e një përhapjeje më të gjerë, duke rikthyer frikën për një tjetër pandemi globale. Megjithatë, ekspertët shprehen se nuk ka vend për alarm.
Mjeku Ilir Alimehmeti deklaroi se hantavirusi nuk është një virus i ri dhe se njerëzimi bashkëjeton me të prej rreth tre dekadash.
Sipas tij, rasti aktual nuk duhet parë si kërcënim për një situatë të ngjashme me pandeminë e Covid-19. Ai theksoi se virusi është i njohur për komunitetin mjekësor dhe se deri tani nuk ka elemente që të tregojnë përhapje masive në popullatë.
“Nuk është problematike, nuk ka arsye që njerëzit të panikosen. Është një virus që e njohim shumë mirë, prej 3 dekadash. Në luftën e Koresë është njohur ky virus. Është virus që transmetohen nga minjtë, që e dimë që sjellin sëmundje. Vetëm ideja që përmendim miun, dikujt i rrëqethet mishi. Higjienë dhe larg minjtë. Këtu bëhet show me këto spërkatje. Vret me një përqindje të lartë, por në shumë raste janë asimptomatike. Te pakica kur rëndohet gjendja, ka fatalitete. Ka një mundësi të vogël në Amerikë që të transmetohet nga njeri te njeriu. Duhet kontakt i ngushtë, intim, në ambiente shumë të ngushta, që të bëhet infektimi. Në Shqipëri kemi pasur raste më përpara me ethe hemorragjike, pasi këtu në zonën e Ballkanit kemi virusin e Beogradit. Edhe ky transmetohet indirekt nga minjtë.”, tha ai. Alimehmeti përjashtoi mundësinë e shpërthimit të një pandemie. “Nuk bëhet fjalë për pandemi. Ky virus nuk ka të tilla karakteristika. Ky eliminohet në sekondë. Këtë virus e njohim të shkruar në libra, prej 3 çerek shekulli.”, shtoi ai në emisionin “Kjo Javë”.
Lini një Përgjigje