TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet20 Nëntor 2023, 19:47

Greqia kërcënon me veto, Idrizi: Sjellje arrogante e Athinës, jemi treguar jo reciprok në kërkimin e të drejtave tona

Shkruar nga Pamfleti

Greqia kërcënon me veto, Idrizi: Sjellje arrogante e Athinës,

Kreu i PDIU-së, Shpëtim Idrizi ka folur lidhur me çështjen “Beleri”, i cili tha se Shqipëria tradicionalisht është treguar shumë tolerante në kërkimin e të drejtave të saj në raport me Greqinë dhe kjo ka bërë që vendi fqinj të tregohet përherë e më arrogant kundrejt nesh.

Idrizi i cilësoi kërcënimet e Greqisë për vendosjen e vetos nga ana e saj, për bllokimin e integrimit të Shqipërisë në BE, si një sjellje arrogante që buron nga nënshtrimi i shtetit shqiptar në problematikat ndër vite.

"Nëse Greqia i gdhend në malin e Olimpit interesat e saj me Shqipërinë, Shqipëria i shkruan në akull interesat e saj me Greqinë.

Nuk më befason por më konstraston në rastin e Greqisë me vendosjen e vetos, që duket që është arrogante.

Kjo buron nga fakti që është mësuar të jetë arrogante me Shqipërinë ndërsa ne jemi treguar asimetrik dhe jo reciprok në raport me Greqinë”, tha Idrizi.

Po ashtu, ai vuri në pah një nga çështjet më të nxehta mes dy vendeve, por jo të investuara nga pala shqiptare në kërkimin e së drejtës sipas tij, çështjen e shqiptarëve të Çamërisë.

Idrizi shprehet se “çështja Beleri” do të ishte e papërfillshme në raportet mes Shqipërisë dhe Greqisë, nëse do ti kushtohej më shumë rëndësi "çështjes çame", ndaj së cilës parlamenti shqiptar ka një ligj që e njeh si genocid.

“Për çështjen e shqiptarëve të Çamërisë ka një ligj parlamenti shqiptar që e njeh si genocid.

Unë tani nuk e kuptoj se si këto dokumentet me rol urdhërues nuk i zbaton qeveria shqiptare.

Kur vijnë ministrat e jashtëm të Greqisë nuk kam parë të ngrihet çështja çame. Do dukej shumë i vogël rasti Beleri nëse Shqipëria do ishte sot në tavolinë duke diskutuar për heqjen e ligjit të luftës. Greqia nuk do ta heqë, 100 herë e ka diskutuar Greqia dhe nuk e ka hequr. Kë nuk njohin? Ekzistencën tonë, çështjet pronësore, të vrarët? Me këtë ligj ne nuk shkojmë dot të aplikojmë për çështje pronësore.

Nuk kujtohet njeri për të drejtat e shqiptarëve në Çamëri. Duhet ta mësojmë opinionin publik se ka disa shqiptarë në Çamëri që jetojnë atje”, deklaroi ai.

shpetim idrizi beleri greqia

Lini një Përgjigje