
Avokati i Sali Berishës, Sokol Mëngjesi ka rënë pre e dhunës paraditen e sotme në kryeqytet.
Ngjarja ka ndodhur në zonën e Ish-Bllokut në Tiranë në orën 08:50.
Tre persona ende të paidentifikuar kanë dhunuar me grushte Sokol Mëngjesin, i cili është një nga avokatët e ish kryeministrit.
Mëngjesi ndodhet në spital ku po merr ndihmë mjekësore, ndërsa Policia ka nisur hetimet. Edhe pse nuk dihen arsyeja e saktë e këtij sulmi të rëndë, dyshohet se dhuna ndaj avokatit ka pasur shkak konfliktin për arsye pronësie.
Sokol Mëngjesi sapo kishte dërguar fëmijën në kopsht kur dyshohet se personat i kanë bërë pritë dhe e kanë dhunuar.
"Sot, rreth orës 08:50, në zonën e ish-Bllokut në Tiranë, persona ende të paidentifikuar kanë goditur shtetasin S. M., me profesion avokat.
I dëmtuari është dërguar menjëherë në spital për dhënien e ndihmës mjekësore dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve. Gjendja e tij shëndetësore është normale.
Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë dhe strukturat e Policisë së Shtetit janë angazhuar për identifikimin dhe kapjen e autorëve", njofton policia.
Mësohet se ngjarja e rëndë ndodhi në pak sekonda, ndërsa policia ka marrë pamjet filmike në zonë për të identifikuar autorët.
Mëngjesi ushtron profesionin e avokatit prej vitesh, ndërkohë që ka zgjedhur të bëjë mbrojtjen e ish-kryeministrin Sali Berisha, në betejën ligjore me drejtësinë, pasi që prej dhjetorit të vitit të kaluar u la në arrest shtëpie pas hetimeve për privatizimin e ish-Kompleksit Sportiv, Partizani.
Lini një Përgjigje