Gjykata e Tiranës i ka hapur rrugën ekstradimit të ish-ushtarit të UÇK, Dritan Goxhajt.
Ky i fundit u arrestua në Tiranë me urdhër arrest të lëshuar nga Gjykata Speciale e Kosovës me qëllim ekstradimin në Hagë.
Ndaj shoqëruesit të trupave amerikane gjatë Luftës në Kosovë në vitin 1999, Gjykata Speciale e Kosovës ka lëshuar një urdhër-arrest, pasi e akuzon se ka nxjerrë emrat e dëshmitarëve në disa çështje të hapura më parë nga Prokuroria Speciale e Kosovës. Avokatët e Goxhajt kanë kërkuar lirimin e tij dhe e kanë cilësuar arrestimin si politik.
Në kohën kur po mbahej gjyqi, mbështetës të tij protestuan jashtë dyerve të Gjykatës së Tiranës.
Me pankarta në duar, plis në kokë dhe bluza me simbolet kombëtare dhe të UÇK-së, ata e konsideruan si të padrejtë arrestimin e tij.
‘Arsyeja kryesore është për këtë drejtësi që i bëhet oficerët të UÇK-së. Si mund të arrestohet një person për ekstradim. Ne jemi në drejtësi. Koha do të tregojë se kush e ka bërë këtë. Nuk mund të arrestohet Dritan Goxhaj për tekat e njërit apo tjetrin. Ndodhemi në një shtet mafioz që njeriu rrëmbehet pa ligje. Si mund të pengohet një gjykatë fantazme me anë të Facebook, këta janë çudira. S’ka urdhër ekstradimi. Ata që kanë bërë këtë maskarallëk do të mbajnë përgjegjësi penale.’- u shpreh një nga protestuesit.


Dritan Goxhaj u arrestua më 31 korrikut 2023 me urdhër arrest të lëshuar nga Gjykata Speciale e Kosovës me qëllim ekstradimin në Hagë.
Kush është Dritan Goxhaj?
Dritan Goxhaj i është bashkuar UÇK-së si oficer i Ushtrisë Shqiptare në shkollën e aviacionit dhe ka pasur autorizimin e Shtabit të Përgjithshëm që të mbante kontakte me komandën e Forcave Amerikane në Shqipëri.
Ai është djali i ushtarakut Dilaver Goxhaj, i cili iu bashkua vullnetarisht UÇK-së, pas kërkesës së Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, kur iu besua detyra e zëvendësshefit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së dhe, me angazhimin e NATO-s në luftë, iu besua detyra e oficerit të bashkëveprimit me NATO-n.
Dhoma speciale
Më 2015, Kuvendi i Kosovës ka miratuar Ligjin për Gjykatën Speciale, e cila funksionon me ligje të Kosovës, por në territorin e Holandës. Në këtë institucion punojnë prokurorë dhe gjykatës të huaj.
Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.
Aktualisht, pranë Dhomave të Specializuara po gjykohen ish-krerët e UÇK-së – Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi – që akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Lini një Përgjigje