
Gjykata Kushtetuese ka lënë në fuqi ligjin e kompensimit të pronave të vitit 2022 duke rrëzuar kështu ankimimin e Komunitetit Mysliman.
Në padi kundërshtohej metodologjia e përllogaritjes së kompensimit financiar për pronat ndaj të cilave ka ndryshuar zëri kadastral.
Kjo pasi, sipas ligjit të ri, më shumë se 10 mijë dosje do të rivlerësohen nga e para me skemën e re, ndërsa të penalizuar janë ata pronarë që preken nga ndryshimi i zërit kadastral, të cilët do të duhet të mjaftohen vetëm me 10 për qind të vlerës që ka prona sot në treg.
Por në vendimin e marrë sot nga Kushtetuesja, thuhet se pretendimet e ngritura nga KMSH nuk qëndrojnë, pasi kërkesat e tyre janë parashikuar në ndyshimet që ju bënë ligjit në nëntor të vitit 2022.
Kujtojmë se më, 9 nëntor të 2023, Gjykata Kushtetuese pezulloi ligjin për kthimin dhe kompensimin e pronave. Shkak për pezullimin e zbatimit të ligjit u bë Komuniteti Mysliman i Shqipërisë. Ata bënë një padi duke e cilësuar të padrejtë ligjin dhe Kushtetuesja mori një vendim për pezullimin e tij derisa të merret një vendim përfundimtar. Me pezullimin e ligjit, u dogj dhe fondi prej 2,3 miliard lekësh i alokuar për vitin 2023.
Njoftimi i Gjykatës Kushtetuese:
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë në datat 13.12.2023 dhe 12.01.2024 mori në shqyrtim në seancë plenare publike çështjen nr. 18 (K) 2023 të Regjistrit Themeltar, me kërkues Komunitetin Mysliman të Shqipërisë, me objekt: “Shfuqizimi i pikës 2 të nenit 1 dhe pikave 1 dhe 2 të nenit 2 të ligjit nr. 77/2022, datë 17.11.2022 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 133/2015 “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave””, si të papajtueshme me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Shfuqizimi i pikave 2, 3/1 dhe 3/2, shkronja “c”, të shtuara në Vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 223, datë 23.03.2016 nga pika 3 e vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 313, datë 24.05.2023 “Për disa shtesa dhe ndryshime në vendimin nr. 223, datë 23.03.2016 të Këshillit të Ministrave “Për përcaktimin e rregullave dhe të procedurave për vlerësimin dhe ekzekutimin e vendimeve përfundimtare të kompensimit të pronës dhe shpërndarjen e fondit financiar e fizik për kompensimin e pronave”, të ndryshuar”, si të papajtueshme me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Shfuqizimi i pikës 8 të vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 313, datë 24.05.2023 “Për disa shtesa dhe ndryshime në vendimin nr. 223, datë 23.3.2016 të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e rregullave dhe të procedurave për vlerësimin dhe ekzekutimin e vendimeve përfundimtare të kompensimit të pronës dhe shpërndarjen e fondit financiar e fizik për kompensimin e pronave”, të ndryshuar”, në pjesën që shton pikën 16/7 në vendimin nr. 223, datë 23.03.2016 të Këshillit të Ministrave, si e papajtueshme me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Pezullimi i zbatimit të këtyre akteve deri në hyrjen në fuqi të vendimit përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese.”.
Gjykata Kushtetuese, pasi mori në shqyrtim kërkesën dhe pretendimet e parashtruara nga kërkuesi, si dhe prapësimet e subjekteve të interesuara, Kuvendit të Shqipërisë, Këshillit të Ministrave dhe Agjencisë së Trajtimit të Pronës, në përfundim të shqyrtimit të çështjes sot, më 13.02.2024, me shumicë votash dhe njëzëri për një pretendim, vendosi rrëzimin e kërkesës.
Më konkretisht, Gjykata vëren se:
1) Kërkuesi ka kërkuar shfuqizimin si antikushtetues të nenit 1, pika 2, të ligjit nr. 77/2022, i cili ka ndryshuar nenin 6, pika 7, të ligjit nr. 133/2015, duke përcaktuar se për vendimet e kompensimit, të përcaktuara me vlerë dhe ende të paekzekutuara, nga periudha e njohjes së të drejtës për kompensim deri në datën e publikimit, subjektet e shpronësuara do të përfitojnë indeksimin, sipas vlerës zyrtare të inflacionit dhe interesin bankar, sipas mesatares vjetore të nxjerrë nga Banka e Shqipërisë në momentin e hyrjes së tij në fuqi, duke pretenduar se ky parashikim cenon parimin e sigurisë juridike.
Në lidhje me këtë pretendim, Gjykata vlerësoi se neni 6, pika 7, i ligjit nr. 133/2015 përmban dy koncepte, indeksimin sipas normës së inflacionit dhe llogaritjen e interesit bankar për vonesat në ekzekutimin e pagesës së kompensimit financiar.
Gjykata vlerëson se të dyja këto koncepte përmbushin detyrimin e shtetit për shpërblimin e drejtë. Gjykata e vlerësoi nenin e mësipërm bashkërisht me nenin 16, pika 6/1, të ligjit, i cili përcakton qartësisht se llogaritja e interesave bëhet deri në ditën e ekzekutimit të vendimit të kompensimit, pra deri në marrjen e shpërblimit.
2) Kërkuesi ka kërkuar, gjithashtu, shfuqizimin si antikushtetues të pikës 1 të nenit 2 të ligjit nr. 77/2022, që ka ndryshuar pikën 2 të nenit 7 të ligjit nr. 133/2015 dhe të pikës 2 të nenit 2 të ligjit nr. 77/2022, që ka shtuar edhe pikën 3 në nenin 7 të ligjit nr. 133/2015, duke pretenduar se bien ndesh me parimin e sigurisë juridike, të drejtën e pronës private dhe shpërblimin e drejtë të saj, si dhe parimin e barazisë përpara ligjit dhe të mosdiskriminimit.
Në lidhje me këto pretendime, Gjykata vëren, fillimisht, se ndryshimet e miratuara me ligjin nr. 77/2022 erdhën si rezultat i vendimmarrjes së kësaj Gjykate nr. 4, datë 15.02.2021 dhe vendimmarrjes së GJEDNJ-së në çështjen Beshiri dhe të tjerë kundër Shqipërisë të datës 17.03.2020, në vijim të të cilave ligjvënësi duhej të merrte masa për të rregulluar legjislacionin në fuqi për trajtimin e pronës me qëllim që të garantohej shpërblimi i drejtë i pronës në pragun minimal prej 10% të vlerës së saj, sipas zërit kadastral aktual, në rastet kur zëri kadastral i saj kishte pësuar ndryshime.
Në rastin konkret, Gjykata vlerësoi se ndryshimet e bëra nga ligjvënësi përmes dispozitave të kundërshtuara kanë marrë parasysh këto vendimmarrje dhe garantojnë shpërblimin e drejtë të pronës, sipas nenit 41 të Kushtetutës.
3) Me të njëjtat argumente si më lart kërkuesi ka kërkuar edhe shfuqizimin si antikushtetues të nenit 2, pika 2, të ligjit nr. 77/2022, në pjesën që shton pikën 5 në nenin 7 të ligjit nr. 133/2015.
Në lidhje me këtë pretendim, Gjykata vlerësoi se ky parashikim ligjor jep garanci akoma më të larta, pasi garanton një shpërblim më të lartë sesa pragu minimal prej 10%, duke e ruajtur 10%-shin si standard minimal të kompensimit të përcaktuar nga GJEDNJ-ja, në çështjen Beshiri, etj. kundër Shqipërisë.
4) Për sa i përket kërkimit në lidhje me shfuqizimin e pikës 2 të VKM-së nr. 313/2023, në pjesën që ka shtuar pikat 3/1, 3/2, shkronja “c”, kërkuesi ka pretenduar cenimin e parimit të sigurisë juridike, së drejtës për pronën private, së drejtës për shpërblim të drejtë, parimit të proporcionalitetit dhe parimit të barazisë përpara ligjit e mosdiskriminimit.
Gjykata konstatoi se pika 2 e VKM-së nr. 313/2023 ka pasqyruar me të njëjtën përmbajtje ndryshimet në formulën e përllogaritjes së kompensimit të parashikuar në ligj. Për sa kohë, kjo e fundit nuk u gjet në papajtueshmëri me Kushtetutën, Gjykata vlerësoi se edhe kjo dispozitë e VKM-së nuk bie ndesh me Kushtetutën.
5) Për sa u përket pretendimeve në lidhje me pikën 8 të VKM-së nr. 313/2023, që ka shtuar pikën 16/7 në VKM-në nr. 223/2016, kërkuesi ka pretenduar se bie ndesh me parimin e hierarkisë së akteve.
Për sa u përket këtyre pretendimeve, sipas nenit 116 të Kushtetutës, Gjykata vlerësoi se parashikimi i nenit 8, pika 5, të ligjit nr. 133/2015 të ndryshuar me ligjin nr. 77/2022, përmes të cilit Këshilli i Ministrave është i autorizuar të përcaktojë rregullat dhe procedurat e shpërndarjes së kompensimit, radhën e përparësisë ndërmjet formave të kompensimit, si dhe rregullat për kompensimin nëpërmjet një ose disa formave bashkërisht, përmban delegimin e nevojshëm për rregullimin e parashikuar në pikën 8 të VKM-së nr. 313/2023 në lidhje me kompensimin përmes dy formave, atij financiar dhe fizik.
Vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore të parashikuara nga ligji nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar dhe Rregullorja për Procedurat Gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese.
Detajet e ligjit
Ligji i ri “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin” u miratua në nëntor të vitit 2022 dhe nis zbatimin në fillim të 2023. Ligji u ndryshua pasi Kushtetuesja rrëzoi skemën e kompensimit dhe qeveria u detyrua të ndërhynte.
Sipas ligjit të ri, më shumë se 10 mijë dosje do të rivlerësohen nga e para me skemën e re, ndërsa të penalizuar janë ata pronarë që preken nga ndryshimi i zërit kadastral, të cilët do të duhet të mjaftohen vetëm me 10 për qind të vlerës që ka prona sot në treg.
Por një ndryshim i rëndësishëm është edhe hapja e afatit për dosjet e patrajtuara në fazën e parë. Janë më shumë se 7 mijë dosje, një pjesë prej të cilave në Gjykatën e Shkallës së Parë, të cilat do të rimerren në shqyrtim nga Agjencia e Pronave. Afati për rivlerësimin e tyre përfundon në 31 dhjetor 2024.
Skema e re
Kështu, pavarësisht kontestimeve dhe betejave ligjore me grupet e interesit, qeveria nuk hoqi dorë nga skema e vlerësimit të pronës, bazuar mbi zërin kadastral të saj në kohën e shpronësimit. Pra, nëse ka qenë tokë bujqësore, vlera e kompensimit do të jetë për tokë bujqësore dhe nëse ka qenë tokë truall, do të kompensohet si e tillë edhe sot. Por gati gjysma e vendimeve janë pasuri që kanë qenë jashtë vijës së verdhë, ndërsa sot kanë statusin e tokës truall. Këto familje do të përfitojnë vetëm 10 për qind të vlerës që kjo pronë ka sot në treg.
“Vlerësimi financiar i vendimeve përfundimtare duhet të sigurojë që vlera e përgjithshme e kompensimit, pavarësisht formës së kompensimit, të jetë jo më pak se 10 për qind e vlerës së pronës, të llogaritur sipas zërit kadastral aktual. Për këtë qëllim, kur pronës së njohur për kompensim i ka ndryshuar zëri kadastral, si dhe nga vlerësimi i vendimeve përfundimtare, sipas pikave 1 dhe 2 të këtij neni, rezulton që subjekti i shpronësuar përfiton më pak se 10 për qind të vlerës së pronës së llogaritur sipas zërit kadastral aktual, prona e njohur për kompensim vlerësohet në bazë të zërit kadastral aktual”, thuhet në ligj.
Lini një Përgjigje