Sipas parashikimeve meteorologjike, ashtu si ditën e djeshme, edhe sot pritet një përkeqësim i motit me reshje të forta dhe stuhish, veçanërisht në zonat veriore dhe bregdetare.
Dhjetëra fshatra në qarkun e Gjirokastrës po vuajnë mungesën e energjisë elektrike, si pasojë e problemeve të shkaktuara nga moti i keq, i cili ka krijuar anomali në sistemin e shpërndarjes së energjisë në shumë zona, kryesisht ato malore.
Burime nga OSHEE konfirmojnë se kushtet atmosferike kanë shkaktuar dëme në fiderat që lidhin fshatrat me rrjetin energjetik.
Mungesa e energjisë nuk ka kursyer as qytetin e Gjirokastrës, ku në orët e mbrëmjes dhe deri sot ka pasur ndërprerje të energjisë në lagjet e sipërme.
Ndërkohë, situata paraqitet problematike dhe pa energji elektrike për më shumë se 12 orë në njësitë administrative të Lopësit dhe Kurveleshit në Tepelenë; të Krahesit, Luftinjës dhe Qesaratit në Memaliaj; si edhe të Zagorisë, Picarit, Lazaratit, Dropullit dhe Lunxhërisë në Gjirokastër.
Grupet e OSHEE ndodhen në terren për të rikuperuar dëmet e shumta që kanë shkaktuar shkarkesat atmosferike në sistemin e shpërndarjes.
Gjithashtu në qarkun e Kukësit ka pasur probleme me energjinë elektike.
Sipas parashikimeve meteorologjike, ashtu si ditën e djeshme, edhe sot pritet një përkeqësim i motit me reshje të forta dhe stuhish, veçanërisht në zonat veriore dhe bregdetare.
Në qarqet Shkodër, Kukës, Vlorë dhe Gjirokastër, reshjet pritet të jenë të intensitetit të lartë, ndërsa në qarqe të tjera priten reshje më të moderuara. Në zona mbi 400 metra lartësi, reshjet mund të vijnë në formë bore, me rrezik ngricash dhe vështirësi në trafikun rrugor.
Gjatë ditës, temperaturat mesatare pritet të arrijnë rreth 16 gradë Celsius. Në mbrëmje, temperaturat bien ndjeshëm.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile dhe Ministria e Mbrojtjes i kanë bërë vazhdimisht apel dy ditët e fundit qytetarëve që të tregojnë kujdes të shtuar, sidomos në zonat malore dhe bregdetare ku rreziku i rrëshqitjeve apo përmbytjeve është më i madh.
Për ata që planifikojnë lëvizje me makinë, veçanërisht në rrugët malore, paralajmërohet shmangia e zonave me akumulim uji ose rrëshqitje dherash.
Lini një Përgjigje