
Ish-ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu, ka dalë sot para gjykatës për çështjen “Gërdeci”. Në fjalën e tij, Mediu tha se rihapja e çështjes penale në ngarkimin tim dhe më shumë akoma vazhdimi i këtij gjykimi, është haptazi në kundërshtim me Kodin Penal dhe atë Procedural Penal, me Kushtetutën e RSH, si dhe me Konventën Europiane për Liritë dhe të Drejtat Themelore të Njeriut.
Sipas tij, çështja e “Gërdecit” është rihapur pa pasur asnjë provë apo fakt konkret për ta bërë këtë proces edhe pse kanë kaluar ma shumë se 10 vite që nga ngjarja.
Mediu shtoi gjithashtu se rihapja e kësaj çështje, në kundërshtim flagrant me ligjin është tregues i mungesës së garancive për një proces të drejtë ligjor nga ana juaj.
“E nderuara Zonja gjyqtare,
Veç familjarëve, kushdo tjetër ka detyrim moral, por kur është rasti edhe detyrim institucional, që vlerësimin dhe gjykimin për atë ngjarje ta bëjë bazuar vetëm në fakte.
Mbi të gjitha ky detyrim është për prokurorinë dhe gjykatën, si dy institucione kompetente që vlerësojnë ligjërisht përgjegjësitë penale të individit. Është plotësisht e qartë që rihapja e çështjes penale në ngarkimin tim dhe më shumë akoma vazhdimi i këtij gjykimi, është haptazi në kundërshtim me Kodin Penal dhe atë Procedural Penal, me Kushtetutën e RSH, si dhe me Konventën Europiane për Liritë dhe të Drejtat Themelore të Njeriut.
Dua të besoj se nxitja për ta rihapur këtë çështje dhe për ta vazhduar gjykimin, nuk është politike dhe se ju nuk keni apo mbështesni interesa politike në këtë proces. Si prokuror dhe gjyqtar, është e qartë që juve nuk ju mungon aftësia profesionale dhe dija për ligjin penal e më gjerë. Ndaj mbetet të keni kurajo të respektoni strikt ligjin dhe vetëm ligjin”, tha Mediu.
Ish-ministri Mediu tha se nuk ka asnjë provë apo fakt të ri i cili të justifikojë rihapjen e çështjes edhe pse kanë kaluar më shumë se 10 vite. Ai ngre gjithashtu disa pyetje, se përse nuk është hapur çështja më herët ndërkohë që ai asnjëherë nuk është shmangur apo fshehur.
“Më lejoni t’ju parashtroj sa më poshtë:
Neni 66 i Kodit Penal parashikon se nuk mundet të ushtrohet ndjekja penale nëse nga dita që është kryer vepra, deri në ditën që personi merret i pandehur, kanë kaluar 10 vjet, për rastin e veprës penale të shpërdorimit të detyrës.
Cila është baza ligjore që i ka dhënë të drejtën prokurorisë të ngrejë akuzë ndaj meje, pasi kanë kaluar më shumë se 10 vjet nga 15 marsi i vitit 2008, momenti kur mendohet të jetë kryer vepra penale? Cili nen i Kodit Penal parashikon pezullimin e parashkrimit të ndjekjes penale?
Kodi Penal nuk parashikon gjithashtu as pezullim të parashkrimit të ekzekutimit të dënimit. Gjykata e Lartë me vendim unifikues nr.1, datë 28.10.2022, ka konfirmuar përcaktimin e Kodit Penal, sipas të cilit nuk ka pezullim të parashkrimit të ekzekutimit të vendimit penal.
Kur nuk ka pezullim të parashkrimit të ekzekutimit të dënimit, për të dënuar, që i largohen dhe i fshihen drejtësisë, si mundet të ketë pezullim të parashkrimit të ndjekjes penale për një individ i cili nuk është hetuar për mbi 10 vjet dhe që prezumohet i pafajshëm?!!!
Çfarë e ka penguar prokurorinë të rihapi çështjen ndaj meje, të rihetoj, të ngrejë akuzë, nga vitit 2009 deri në vitin 2022? Unë këtu kam qenë, nuk jam fshehur, nuk i jam shmangur ndonjë hetimi të mundshëm?!!! Për më shumë se 15 vjet unë nuk jam pyetur pothuaj asnjëherë. Jo vetëm kaq por kam këmbëngulur që Gjykata e Lartë në gjykimin e vitit 2009 të vazhdojë gjykimin?!!!! I kam kërkuar Prokurorisë së Përgjithshme të tërheqë aktet dhe të kërkojë në Kuvend riheqjen e imunitetit. Prokuroria e Përgjithshme nuk e bëri këtë dhe rrjedhimisht Gjykata e Lartë vendosi pushimin e gjykimit me gjithë kërkesën time për ta vazhduar atë.
Çfarë provash, apo rrethanash të reja janë shfaqur edhe pasi ka kaluar afati 10 vjeçar i parashkrimit, që e shtynë prokurorinë/SPAK të rihapë këtë proces? Asnjë prove, asnjë e dhënë e re. Për më tepër edhe në këto dy vite gjoja hetim, prokuroria/SPAK nuk shtoi absolutisht asgjë më shumë nga sa përmban hetimi i vitit 2008-2009. Në vendimin për të rihapur procesin dhe për të dërguar çështjen në gjyq, nuk është respektuar as vendimi i Gjykatës së Lartë nr. 1106, datë 21.12.2021. Në paragrafin 23 të këtij vendimi përcaktohet qartazi, se në momentin e disponimit përfundimtar të prokurorit për ushtrimin e ndjekjes penale dhe dërgimin e çështjes në gjyq, do të vlerësohen afatet e parashikuara në nenin 66 të Kodit Penal). As prokurori nuk e bëri këtë, por as edhe ju si gjykatë nuk po e bëni?
Mund të më thoni i nderuar prokuror se nga ku buron kurajoja juaj për të injoruar në mënyrë flagrante Kodin Penal për parashkrimin, për të injoruar vendimet e Gjykatës së Lartë, por edhe vendimet e Gjykatës së Strasburgut për këtë institut penal?!!!”, tha Fatmir Mediu në gjykatë.
Lini një Përgjigje