Ja pasuria e Adnan Xholit, Klodian Brahos, Doloreza Musabelliut dhe Ervin Gokajt
Këshilli i Lartë i Prokurorisë do të nisë nesër procedurat për të zgjedhur kreun e ri të SPAK. Në orën 10.00 KLP do të mbledhë anëtarët për të shqyrtuar nëse katër kandidatët për drejtimin e SPAK plotësojnë kushtet ligjore për të vijuar garën.
Në rend dite do të jetë miratimi i listës me emrat që kalojnë fazën e parë formale. Vetëm pas kësaj, kandidatët do të ftohen për intervista dhe prezantim të platformës përpara KLP-së. Katër emrat në garë janë: Adnan Xholi, Klodian Braho, Doloreza Musabelliu dhe Ervin Gokaj.
Që të katërt e kanë kaluar me sukses procesin e Vetingut, pa pasur probleme. Por gjithsesi, për arsye informuese dhe aspak për të goditur dikë prej tyre, “Pamfleti” po jep detaje nga pasuria e publikuar prej tyre ndër vite.
Për deklarimet para Vetingut, lajmi bazohet te analizat pasurore të bëra nga rrjeti “BIRN”. Ndërsa për periudhën 2020-2023 janë të dhëna të siguruar pranë Inspektoratit të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive.
Pasuritë e 4 kandidatëve për kreun e SPAK
KLODIAN BRAHO
Klodian Braho ka mbaruar Shkollën e Magjistraturës në vitet 2005-2008 dhe më pas është emëruar prokuror në Berat. Në vitin 2012, Braho u transferua në Prokurorinë e Vlorës ku mbajti edhe postin e zv.drejtuesit, ndërsa në vitin 2015 u dekretua në Prokurorinë e Krimeve të Rënda.
Të dhënat e analizuara nga BIRN tregojnë se Braho deklaronte kursime prej 90 mijë lekësh në vitin 2007, ndërsa në fund të vitit 2017, pasuria familjare e prokurorit është 6.6 milionë lekë, duke shënuar një rritje mesatare vjetore prej 592 mijë lekësh.
Në fund të vitit 2017, pasuria familjare përbëhet nga një apartament me vlerë 4 milionë lekë, likujditete në bankë prej 1.1 milion lekësh, rreth 930 mijë lekë kursime të akumuluara në cash dhe automjete me vlerë 468 mijë lekë.
Të ardhurat familjare për periudhën deklaruese janë 14.6 milionë lekë. Rreth 86% e të ardhurave kanë si burim pagën nga funksioni dhe ato nga mësimdhënia të prokurorit Braho, ndërsa rreth 12% burojnë nga paga e bashkëshortes.
Përveç analizës për rritjen/uljen e pasurisë, strukturën e aseteve dhe të ardhurave, ky raport paraqet dhe kontrollin aritmetik/logjik të deklarimeve të subjektit si dhe “flamujt e kuq’ që identifikohen gjatë kontrollit. Nga 11 deklarata që iu nënshtruan kontrollit aritmetik/logjik, asnjëra prej tyre nuk rezultoi me probleme.
Megjithatë, nga analiza cilësore e deklaratave të pasurisë vlen të përmendet një hua prej 5 mijë eurosh e marrë në vitin 2010 për të paguar këstin e porosisë së një apartamenti. Apartamenti në zonën e Kasharit me sipërfaqe 73m2 dhe me vlerë të deklaruar 29 428 euro ka si burim një kredi bankare si dhe huanë e mësipërme.
Ndërsa nga verifikimet e “Pamfletit", në vitet 2018 dhe 2019 ai ka deklarur vetëm të arhdur anga pagat. Në vitin 2020, Braho shiti një apartament me sipërfaqe 66.88 m² për 6 milionë lekë, duke rritur gjendjen në llogaritë e tij bankare. Vetëm në fund të atij viti, gjendja në llogarinë e kursimit kapte shumën 7.128.000 lekë.
Në 2021, prokurori deklaron blerjen e një apartamenti të ri, me sipërfaqe 110.3 m², ku zotëron 50% të pronësisë. Po atë vit, ai blen edhe një automjet me vlerë 1.5 milionë lekë dhe raporton shtesë pasurie në cash dhe llogari kursimi.
Në të njëjtin hark kohor, bashkëshortja rezulton bashkëkredimarrëse në një kredi prej 46.660 eurosh për një apartament në emër të babait të saj, ku pagesat i përballon i ati. Në vitin 2023 deklaron llogari bankare me vlerë 4.6 mln lekë me të ardhura nga paga.
ADNAN XHOLI
Adnan Xholi ka deklaruar një pasuri familjare me vlerë 300 mijë lekë në vitin 2003, viti i parë i deklarimit të pasurisë për zyrtarët publikë. Referuar deklaratës së parë, Xholi nuk dispononte prona të patundëshme ndërsa pasuria e tij përbëhej nga një autoveturë me vlerë 300 mijë lekë e siguruar me të ardhurat nga paga.
Në fund të vitit 2017, pasuria familjare e Prokurorit Xholi ishte 11.9 milionë lekë, me një rritje 40 herë nga deklarimi i parë. Kjo pasuri përbëhet nga një apartament i blerë me kredi në vitin 2005, likujditete në bankë në masën 3.8 milionë lekë dhe likujditete kesh në masën 16 milionë lekë. Xholi disponon edhe automjete me vlerë 1.1 milionë lekë.
Sipas BIRN, Për periudhën deklaruese 2007-2017, Xholi dhe familjarët e tij kanë deklaruar të ardhura totale në masën 27 milionë lekë, nga të cilat, afro 20 milionë lekë janë të ardhurat nga paga të prokurorit dhe 5.7 milionë lekë nga paga e bashkëshortes.
BIRN ka identifikuar gjithashtu disa “flamur të kuq” si më poshtë: Në vitin 2005, subjekti ka deklaruar kredi në shumën 5 milionë lekë për blerje apartamenti në Tiranë me sipërfaqe 107 metra katrorë si dhe huamarrje në shumën 5 mijë euro, e cila është shlyer brenda vitit. Në lidhje me apartamentin, subjekti nuk ka deklaruar çmimin e plotë të blerjes – rrjedhimisht si vlerë e apartamentit është marrë totali i kredisë dhe i huamarrjes së vitit 2005.
Në formularin e deklarimit të vitit 2012 mungojnë të ardhurat familjare vjetore. Në vitin 2013 dhe 2015, kursimet familjare kesh janë deklaruar në faqen konfidenciale, ndërkohë që detyrimi ligjor është pasqyrimi i tyre në rubrikën e aseteve – si rrjedhojë ndryshimi i vlerës së likujditeteve kesh ndër vite është i paqartë.
Ndërsa nga verifikimet e “Pamfletit", në vitin 2020, Xholi raportoi një shumë prej mbi 1.5 milionë lekësh në llogaritë e tij bankare, të lidhura me pagën si prokuror dhe pagesat për kredinë e marrë në vitin 2006 për blerjen e apartamentit ku banon në Tiranë. Kredia është përdorur për një apartament që më pas rezulton i regjistruar në emër të tij dhe bashkëshortes në sipërfaqe 93.2 m², ku ai zotëron 50% të pronës.
Në deklarimin për vitin 2021, Xholi raporton mbi 4.3 milionë lekë në dy llogari bankare individuale, si dhe një automjet me vlerë 4 mijë euro, i blerë në vitin 2017. Bashkëshortja e tij figuron me një pronë bujqësore në sipërfaqe 3007 m², të deklaruar me vlerë mbi 1 milion lekë, si dhe një llogari bankare me rreth 1.9 milionë lekë.
Në vitin 2023, Xholi raporton një gjendje të konsoliduar financiare. Ai deklaron 12 mijë euro cash, të gjeneruara nga të ardhurat e pagës, dhe një llogari bankare rrjedhëse me 75,138 euro. Ndërkohë, në një tjetër llogari bankare ka raportuar një pakësim prej afro 5.8 milionë lekësh, pa specifikuar destinacionin e saktë të tërheqjes.
DOLOREZA MUSABELLIU
Në fund të vitit 2017, pasuria familjare ndahet në 10.2 milionë lekë pasuri të patundshme, 3.8 milionë lekë kursime në cash, 2 milionë lekë likujditete bankare dhe automjet me vleë 1.4 milionë lekë.
Të ardhurat familjare për periudhën deklaruese janë 20.9 milionë lekë. Rreth 83% e të ardhurave kanë si burim pagën e Znj. Musabelliu, ndërsa rreth 16% burojnë nga aktiviteti i bashkëjetuesit si noter.
Në vitin 2014, bashkëjetuesi i prokurores, Genci Duraj deklaron pasurinë e tij, mes të cilave një apartament të blerë në Tiranë në vlerën e 73,400 euro. Burimi i deklaruar i kësaj pasurie është huaja nga babai. Në vitin 2017, Duraj deklaron se ka shlyer 2.5 milionë lekë hua ndaj babait, ndërkohë që detyrimi për blerjen e apartamentit vazhdon të jetë 55,400 euro.
Në fund të vitit 2020, Musabelliu kishte në llogari depozite një shumë prej 1.8 milionë lekësh, të akumuluar nga paga si prokurore e SPAK.
Ndërsa nga verifikimet e “Pamfletit", në vitin 2021, gjendja e pasurisë së saj shënon një rritje të ndjeshme. Ajo deklaron: 500 mijë lekë gjendje cash; një llogari page me 2.5 milionë lekë; mjë llogari kursimi me 1.6 milionë lekë; një tjetër llogari kursimi me rreth 3.9 milionë lekë.
Ndërkohë, bashkëjetuesi i saj zotëron një apartament me sipërfaqe 115.13 m² në pronësi të plotë dhe një automjet të blerë në vitin 2019 për vlerën 800 mijë lekë. Ai ka gjithashtu një llogari rrjedhëse me vlerë 2.4 milionë lekë, e deklaruar në fund të vitit 2021 dhe e përsëritur edhe për vitin 2023, pa ndryshim.
ELVIN GOKAJ
Prokurori Elvin Gokaj zotëronte pasuri me vlerë 400 mijë lekë në vitin 2003; kur deklaroi për herë të parë interesat e tij private pranë ILDKPKI. Në fund të vitit 2017, pasuria e tij familjare është rritur me 24 herë, duke kapur vlerën e 9.7 milionë lekëve.
Zëri kryesor i pasurisë së deklaruar përbëhet nga likujditetet bankare në vlerën e 4.9 milionë lekëve. Ai deklaron gjithashtu pasuri të paluajtshme me vlerë 4.1 milionë lekë dhe automjet me vlerë 676 mijë lekë.
Të ardhurat familjare për periudhën deklaruese janë 35.4 milionë lekë. Rreth 62% e të ardhurave burojnë nga paga për shkak të funksionit si prokuror, ndërsa rreth 38% e të ardhurave kanë si burim pagën e bashkëshortes si arsimtare dhe pedagoge.
Nga analiza cilësore e deklaratave të pasurisë, BIRN identifikoi si “flamur të kuq” përfitimin e një apartamenti me sipërfaqe 57 m2 përmes aktit të dhurimit nga familjarët në vitin 2010; apartament i cili ishte fituar nga statusi i të përndjekurit politik.
Vlen gjithashtu për t’u shënuar që një depozitë bankare prej 6 mijë eurosh, e deklaruar nga bashkëshortja në deklaratën e vitit 2017 i përket deklarimit periodik/vjetor të vitit 2018.
Ndërsa nga verifikimet e “Pamfletit", në vitin 2020, ai dhe bashkëshortja e tij deklarojnë blerjen e një apartamenti 140 metra katrorë në Durrës me vlerë 60 mijë euro, ku secili zotëron 50 për qind të pronës. Burimi i financimit për këtë blerje janë depozitat bankare të krijuara nga kursimet e të dy bashkëshortëve, të cilat janë konvertuar nga lekë në euro brenda sistemit bankar. Po gjatë kësaj periudhe, Gokaj deklaron edhe një apartament tjetër me sipërfaqe 76 metra katrorë me vlerë 30 mijë euro, në bashkëpronësi 50 për qind, si dhe një apartament të tretë me sipërfaqe 57 metra katrorë që e zotëron i vetëm, i përfituar përmes dhurimit.
Sa i përket automjeteve, në vitin 2021 ai ka blerë një automjet me vlerë 850 mijë lekë, ndërsa në vitin 2020 bashkëshortja e tij ka blerë një mjet tip Volksëagen Golf prodhim i vitit 2004 me vlerë 300 mijë lekë. Fondet për blerjen janë tërhequr nga depozitë bankare, e krijuar nga kursimet e bashkëshortëve. Në deklaratat e vitit 2021 figurojnë dy depozita individuale në lekë në vlerat 3.5 milionë dhe 1.5 milionë lekë, si dhe një llogari page me një shumë më të vogël.
Për vitin 2023, pasuria bankare e Elvin Gokajt është zhvendosur kryesisht në euro. Ai deklaron një depozitë individuale prej 50 mijë eurosh, një tjetër prej 10 mijë eurosh dhe një depozitë të përbashkët shumëemërore me vlerë totale 20 mijë euro, nga të cilat 50 për qind i përket atij. Në janar të vitit 2023 janë mbyllur dy depozita në lekë me vlerë 3.55 milionë dhe 1.6 milionë lekë. Bashkëshortja e tij gjatë këtij viti ka rezultuar pronare e një automjeti të blerë më 2 gusht 2023 për vlerën 620 mijë lekë, ndërsa një tjetër mjet që ajo zotëronte është shitur më 7 gusht 2023.
Të gjitha transaksionet e lidhura me blerjen e pasurive të paluajtshme dhe automjeteve janë kryer brenda sistemit bankar dhe justifikohen me të ardhura të deklaruara më parë. Në dokumentacionin e dorëzuar, Gokaj thekson se nuk ka bërë shpenzime për mobilimin e shtëpisë së re pasi ka përdorur mobilimin ekzistues të shtëpisë së dëmtuar nga tërmeti i vitit 2019. /Pamfleti
As qe behet fjale se ndokush prej ktyne refen te verteten e paster. Te ndershem me nga 2,3 shtepia e depozita bankare milionshe hahahaha ja kane dhuru esht ba model justifikimi sot. Ku jan kto qi dhurojn une skom pa no nji
Gruaja e Klodianit genjen per baban e saj Ariola me gjith vellain e saj Ergys Veraj ka pas ne Palas Lokal dhe ka pas zoteruar edhe nje vil nga viti 2020 deri 2024 Babai i Arioles Kur ka qen Ariola ne Hipotek te Vlores ne vitin 2013 i ka ven emrin babait ne nje pron qe duhet ta paguante por ghe sot esht ne gjyq per mashtrim ku mbeshtetet nga dhenderi per te fituar gjyqet E drejta do te dal
Shikoni pasurit e Dumanit me 4 shpia dhe vile ,ky paska qen njeriu me me fat ne bote ,vetem ketij i dhurojn dhe falin kurse prok e tjere shum here me te afte iken per 5000 euro !!!!!!!!!!!!! Kurse keto 3 vjet ka bere dhe prona te tjera qe do ti dalin se shpejti nga greqia se e ka qef bosi