Qeveria është e gatshme të shpenzojë 3 milionë euro si buxhet fillestar për ngritjen e një shoqërie shtetërore e cila do të ketë si detyrë prodhimin e armëve.
Ringritja e industrisë së prodhimit të armëve në vendin tonë duket se nuk është larg. Ministria e Mbrojtjes ka nxjerr për konsultim publik një projektligj që u hap rrugë prodhimit të armëve, një nismë që po merr jetë dhe në planin praktik.
Përmes kësaj nisme ligjore bëhet e mundur krijimi i një strukture të re në formën e një shoqërie tregtare më të gjitha kapacitetet e nevojshme për të ndërvepruar në tregun e sotëm kombëtar dhe ndërkombëtar. Në realicionin shpjegues që shoqëron projektligjin thuhet se vetëm përmes një shoqërie të tillë mund të aktivizohen dhe funksionojnë mekanizmat e nevojshëm për rivitalizimin e kapaciteteve të trashëguara të industrisë ushtarake, në kuadrin e dinamikave aktuale në ambientin ndërkombëtar strategjik të sigurisë, vendimet dhe standardet e NATO-s.
“Ky ligj ka për qëllim krijimin e Shoqërisë “Kayo” sh.a., shoqëri shtetërore për prodhimin, demilitarizimin dhe tregtimin e armëve, municioneve, pajisjeve dhe teknologjive ushtarake (e quajtur në vijim “Shoqëria”), si dhe përcaktimin e rregullave për organizimin dhe funksionimin e veprimtarisë së saj”, thuhet në projektligj.
Qeveria është e gatshme të shpenzojë 3 milionë euro si buxhet fillestar për ngritjen e një shoqërie shtetërore e cila do të ketë si detyrë prodhimin e armëve. Armët të cilat do të prodhohen nga shoqëria “Kayo” sh.a, parashikohen të përdoren jo vetëm për pajisur Forcat e Armatosura Shqiptare, por edhe për tregti.
“Funksionet e Shoqërisë janë; Prodhimi, riparimi, demilitarizimi dhe tregtimi i armëve ose pjesëve të armëve, përfshirë edhe armët ushtarake, municionet, teknologjitë dhe pajisjeve ushtarake, si dhe çdo aktivitet të lidhur me këtë veprimtari, në funksion të politikave kombëtare të sigurisë dhe mbrojtjes, të politikave shtetërore të rritjes së kapaciteteve ushtarake, si dhe zhvillimit të industrisë ushtarake.
Bashkëpunimi me Forcat e Armatosura, me qëllim fuqizimin dhe rritjen e kapaciteteve të tyre ushtarake, nëpërmjet sigurimit të armëve, teknologjive dhe pajisjeve ushtarake për Forcat e Armatosura, nga ana e Shoqërisë në cilësinë e furnizuesit, të agjentit ose të autoritetit kontraktor, në përputhje me legjislacionin në fuqi. Tregtimi, nga vetë Shoqëria apo nga subjekte të tjera të themeluara prej saj ose në bashkëpunim me subjekte private, i armëve ushtarake ose pjesëve të tyre, municioneve, teknologjive dhe pajisjeve ushtarake, të prodhuara në territorin e Republikës së Shqipërisë”, thuhet ndër të tjera në projektligj.
Më tej në relacion thuhet se përmes krijimit të një shoqërie shtetërore synohet shfrytëzimi i kapaciteteve industriale të trashëguara dhe rrjedhimisht do të rrisë pozicionimin strategjik në rajon. Paralelisht kjo do të kontribuojë në rritjen dhe zhvillimin ekonomik, duke e bërë industrinë e mbrojtjes një motor mbështetës për përparimin.
“Shoqëria shtetërore që synohet të krijohet më këtë projektligj, do të ketë të gjitha kapacitetet e saj juridike dhe financiare për të funksionuar në përputhje me objektivat që i cakton ky projektligj për zhvillimin e industrisë ushtarake në vend”, thuhet në relacion.
Sa i takon financimit të shoqërisë, burimet financiare për funksionimin e kësaj Shoqërie, parashikohen të jenë si fillim buxheti i shtetit për kapitalizmin dhe në vijim si mbështetje operacionale për Shoqërinë derisa të jetë në gjendje të shpërndajë dividend.
Pas momentit të parë të themelimit dhe ngritjes së kapaciteteve të saj, të ardhurat e siguruara nga aktiviteti dhe shërbimet e ofruara do të përbëjnë burimin të rëndësishëm të financimit. Gjithashtu, në relacion thuhet se mund të shërbejnë si burim financimi edhe donacionet apo burime të tjera të lejuara dhe në përputhje me legjislacionin në fuqi. Nga ana tjetër, parashikohet krijimi i një fondi ad hoc nga Këshilli i Ministrave, me qëllim mbështetjen e operacioneve të veçanta të Shoqërisë. Operacionet specifike që do të mbështetet nëpërmjet këtij fondi do të miratohen rast pas rasti nga Këshilli i Ministrave, bazuar në vendimin e Komitetit Ndërministror të Sigurisë dhe Mbrojtjes.
E gjithë kjo nismë për rivitalizimin e industrisë së armëve erdhi pas mbështetjes së Amerikanëve. Ishte sekretari i Shtetit Antony Blinken, i cili gjatë vizitës së tij në vendin tonë deklaroi se Shqipëria do të pëdorej si një vend bazë për furnizimin e Ukrainës me armë. Më pas ishte vetë presidenti ukrainas Zelensky, i cili gjatë vizitës në Tiranë nxorri planin për kthimin e Shqipërisë në një vend prodhues të armëve dhe municioneve, si dhe kthimin e saj në një nga furnizuesit kryesorë të Ukrainës./Pamfleti
Lini një Përgjigje