
Gjykata Administrative vendos sot për fatin e zgjedhjeve në Himarë, pasi Fredi Beleri kërkon shfuqizimin e dekretit te Presidentit Bajram Begaj i cili caktoi 4 gushtit si datën e zgjedhjeve në Bashkinë Himarë.
Klodjana Gjyzari përfaqësuesja ligjore e ish-kryebashkiakut Fredi Beleri e bazoi mbrojtjen e saj në nxitimin e Presidentit për të shpallur datën e zgjedhjeve pa pritur përfundimin e procedurës se ankimimit te Fredi Belerit.
Avokatja akuzoi kreun e shtetit se ka mbajtur anë politike pasi dekreti presidencial duhet të shpallej pas 5 gushtit, datë kur përfundonte afati për ankimin e Fredi Belerit në gjykatë.
“I qëndrojmë kërkesës për sigurim padie. Kërkojmë shfuqizim të dekretit të presidentit Begaj për zgjedhjet më 4 gusht, sigurimin e padisë dhe rrjedhimisht pezullimin e çdo efekti të dekretit deri në një vendim përfundimtar të gjykatës", tha avokatja.
Më 5 korrik, Presidenti Bajram Begaj dekretoi 4 gushtin si datë për zgjedhjet e reja në Himarë. Vendimi i presidentit erdhi pasi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi heqjen e mandatit të Belerit si kryebashkiak i Himarës, pas dënimit të tij me formë të prerë me 2 vite burg për korrupsion në zgjedhje.
Ndërkohë, përfaqësuesja e Presidencës tha se Begaj u vu në lëvizje pasi organi kompetent shpalli vakancën, e po ashtu një organ tjetër kompetent e njoftoi zyrtarisht.
“Paditësi Beleri nuk duhet të legjitimohet si palë. PBDNJ e ka njohur datën 4 gusht sepse ka vijuar me regjistrimin e kandidatit dhe fushatën”, tha përfaqësuesja e Presidencës.
Lini një Përgjigje