TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet23 Shkurt 2025, 12:39

Flet biznesmeni që u dhunua në Sarandë: Në qytet situata është e ngjashme me “Cosa Nostra”

Shkruar nga Pamfleti
Flet biznesmeni që u dhunua në Sarandë: Në qytet situata
Arben Çipa

Biznesmeni nga Saranda, Arben Çipa, ka folur sërish pas sulmit brutal që pësoi të shtunën në zonën e Heremecit. Ai u dhunua nga dy persona, të cilët sipas tij, janë individë me precedentë të mëparshëm dhe kanë krijuar një klimë frike për banorët e zonës.

“Në Sarandë, disa individë kanë krijuar një situatë të ngjashme me ‘Cosa Nostra’, veçanërisht në lidhje me pronësitë. Kam marrë qindra e mijëra mesazhe nga industria e turizmit, ku më raportohen vështirësi dhe pengesa të shumta nga këta persona. Unë distancohem nga çdo lloj provokimi dhe nuk dua të përfshihem në konflikte, por fatkeqësisht ndodhi ajo që tashmë është bërë publike,”  deklaroi Çipa për Euronews Albania.

Ai bëri thirrje që institucionet të marrin masa urgjente për të ndalur fenomenin, i cili sipas tij, është bërë një gangrenë për qytetin.

Si ndodhi sulmi?
Biznesmeni sqaroi rrethanat që çuan në ngjarjen e rëndë dhe arsyen pse ra pre e dhunës.

“Dua të theksoj se nuk kam pasur asnjë lidhje me këta individë, pavarësisht se vijmë nga i njëjti qytet. Unë kam investuar në një zonë të re turistike dhe po merresha me ndërtimin e një rruge publike, në kuadër të një projekti konkret të OSHE-së. Ndërsa po vendosnim sistemin elektrik, një nga personat e përfshirë pretendoi se shtyllat e vendosura do t’i pengonin pamjen, ndonëse nuk kishte asnjë të drejtë ligjore mbi këtë çështje.” – shpjegoi ai.

Pavarësisht përpjekjeve për të gjetur një zgjidhje të arsyeshme, situata degradoi kur individët e përfshirë shkatërruan bazamentet e shtyllave dhe larguan materialet e ndërtimit. “Kur u përpoqa të komunikoj me ta, ata injoruan telefonatat dhe mesazhet e mia. Në mesazhin e fundit, i paralajmërova se materialet duhet të riktheheshin dhe projekti do të vijonte sipas planit,” – tha Çipa.

Disa ditë më vonë, ai u sulmua fizikisht nga dy persona. “Ndërsa po kaloja pranë zonës, ata më ndaluan në rrugë, më kërcënuan dhe më goditën me grushte e gurë. Dhuna ishte ekstreme dhe agresiviteti i tyre primitiv. Goditjet në fytyrë janë ndër më të rëndat, jo vetëm fizikisht, por edhe në aspektin emocional dhe psikologjik,” – rrëfeu ai.

Ndërhyrja e autoriteteve
Pas sulmit, njëri prej agresorëve është arrestuar, ndërsa tjetri është shpallur në kërkim. Çipa konfirmoi se ndodhet në gjendje të stabilizuar shëndetësore, megjithëse dëmtimet në fytyrë janë serioze.

Ai u bëri thirrje institucioneve të drejtësisë që të ndërhyjnë me forcën e ligjit për të parandaluar raste të tilla në të ardhmen. “Nëse as unë nuk mund të gjej drejtësi, çfarë mund të ndodhë me qytetarët e thjeshtë?” , u shpreh ai.

Përfundimisht, biznesmeni theksoi se Saranda nuk mund të jetë peng i individëve që sfidojnë ligjin dhe se është koha për veprim konkret nga institucionet. “Si një person që promovon paqen dhe zhvillimin, nuk dua as të dëgjoj për realitete të tilla, e aq më pak t’i përjetoj vetë. Shoqëria dhe institucionet duhet të ndërgjegjësohen dhe të marrin masa të vazhdueshme për të eliminuar këto probleme.”

arben Çipa

Lini një Përgjigje