
Profesori i kriminalistikës, Ervin Karamuço, ka deklaruar se aktiviteti i eskortave në Shqipëri gjeneron të ardhura të konsiderueshme, që sipas tij mund të arrijnë deri në 200 milionë euro në vit.
Në një intervistë për emisionin “Top Story”, ai u shpreh se ky është një biznes kriminal i cili përllogaritet të sjellë minimalisht 150 milionë dollarë fitime në vit në Shqipëri. Ai shton se shifra 'mund të shkojë edhe 200 gjatë sezonit të verës'.
Karamuço theksoi se kjo shifër përfshin vetëm të ardhurat nga shërbimet direkte, ndërsa sipas tij, aktivitetet e tjera të lidhura e rrisin ndjeshëm vlerën totale: “Shkojnë deri në 300-400 milionë euro në vit me përfitimet e të tretëve për shkak të kësaj”.
Ai ngriti gjithashtu pretendime për përfshirje të individëve brenda strukturave të sigurisë në aktivitete të paligjshme: “Për disa oficerë policie, kjo veprimtari është biznes fitimprurës kriminal. Janë të përfshirë kokë e këmbë në këtë trafik”.
Duke u ndalur te dinamika sezonale, Karamuço deklaroi se gjatë verës është vërejtur edhe prania e shtetasve të huaj që ushtrojnë prostitucion në Shqipëri: “Gjatë periudhës së beharit ne kemi pasur studente nga Franca dhe Britania që kanë prostituuar në Shqipëri, me vullnetin e tyre”.
Ai shtoi se këto raste lidhen me qëndrime të përkohshme. "Kanë ardhur për turizëm, kanë prostituuar, kanë marrë ato lekë dhe kanë ikur. Kemi edhe nga kjo kategori”, thotë Karamuço.
Lini një Përgjigje