TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 8 Korrik 2024, 21:46

Çfarë tha Dumani sot para gazetarëve dhe pse i vetmi që u shqetësua ishte Meta?

Shkruar nga Pamfleti
Çfarë tha Dumani sot para gazetarëve dhe pse i vetmi që u
Altin Dumani

“Pamfleti” ka siguruar gjithë komunikimin e Dumanit me gazetarët dhe përtej sforcos për të nxjerrë lajm, kreu i SPAK nuk tha asgjë për ato çështje që mediat kishin interes.

Kreu i SPAK, Altin Dumani zhvilloi sot një takim “of record” me gazetarët, me qëllim sqarimin e pikëpyetjeve mbi dosje të caktuara nën hetim. Takim ky që vjen pas 6 muajsh nga takimi i fundit dhe që ka qenë lajm kryesor në media sot. Mirëpo a dha lajm Dumani?

Pamfleti” ka siguruar gjithë komunikimin e Dumanit me gazetarët dhe përtej sforcos për të nxjerrë lajm, kreu i SPAK nuk tha asgjë për ato çështje që mediat kishin interes. Ai tha se ka nisur hetimi pasuror për Berishën. Kjo gjë nuk ishte surprizë, pasi ligji e detyron SPAK që kur dikush hetohet për korrupsion duhet të hetohet edhe në aspektin pasuror. Për “21 Janarin” nuk ka shumë koment, pasi SPAK është i detyruar të zbatojë vendimin e Gjykatës së Lartë.

Ndërkohë Dumani u pyet për ekstradimin e Ahmetajt dhe bosëve të inceneratorëve. Përgjigja e tij ishte: “Besoj e dini rolin e Prokurorisë, ne jemi institucion që i drejtohemi Ministrisë së Drejtësisë”.

I pyetur për hetimet mbi dosjen “5 D”, Dumani tha se nuk ka koment. Për hetimet dhe akuzat e Ilir Metës tha: “Nuk kam asnjë koment për të bërë”. E njëjta gjë edhe për hetimet ndaj fondeve të IPARD. “Për fondet IPARD, do ruaj të njëjtin standard. Është çështje në hetim paraprak”, tha ai. Po ashtu nuk pati asnjë të dhënë për ekstradimin e Durim Bamit, për aksionin që u fol nga SPAK pak ditë më parë, etj. Për dosjen “McGonigal" sërish nuk dha asnjë informacion.

I vetmi gjysmë-lajm që mund të them ishte se konfirmoi që nuk ka padi nga Gazmet Bardhi për vëllanë e kryeministrit për Xibrakën. Por edhe kjo dihej disi, pasi vetë Olsi Rama e tha kur doli nga SPAK pak ditë më parë.

Pra, Altin Dumani nuk tha asgjë. Për shumicën e rasteve sensitive përgjigjja ishte “nuk kam koment”, ndërsa për shumë të tjera tha gjëra që dihen.

Por edhe pse Dumani nuk tha asgjë, i vetmi që u shqetësua ishte Ilir Meta. Ky i fundit më herët e akuzonte Dumanin se bën takime me gazetarët dhe mburret se do arrestojë Metën me bekimin e amerikanëve. Tani këtu ka dy gjëra: Ose Dumani thotë më tepër se kaq me gazetarët ose Meta di gjëra që ne nuk i dimë. Pak pasi kreu i SPAK mbylli takimin, Meta nisi sulmet.

Gjithçka e mirëpërcaktuar dhe e mirë koordinuar sipas regjisë së ekzekutuar personalisht nga sekretari gjeneral Engjëll Agaçi i cili është shefi i vërtetë i SPAK-ut dhe i këtij torollakut që jep intervista off record. Ishte pikërisht Agaçi edhe në rastin e Himarës urdhëroi, koordinoi çdo hap procedural në funksion të projektit personal të Edi Ramës, i cili pasi rrëmbeu dhe burgosi Belerin tani ka për objektiv të të gjithë Himarën. SPAK-u torollaku e ka qepur gojën dhe as nuk guxon t’ia thotë emrin kryeministrit, jo më ta thërrasë apo t’i vërë prangat, kur të gjitha faktet janë atje bashkë”, tha Meta.

Por pse është i shqetësuar kreu i PL? Sipas informacioneve, zemërimi tij lidhet si me takimin e Dumanit me gazetarët ashtu dhe me arrestimin e Beqajt. Është bërë traditë tashmë që SPAK, mundohet të jetë i balancuar, pra kur godet majtas, më pas sheh djathtas. Mos vallë pas Beqajt e ka radhën Meta? Të shohim. SPAK po zvarrit pa fund hetimet ndaj tij dhe Krymadhit. Vetë Meta po na jep sinjale se nuk është i qetë dhe po pret që hetuesit e BKH t’i shfaqen te dera nga dita në ditë. /Pamfleti

Lini një Përgjigje