Ambasadori shqiptar në Vjenë Fate Velaj, homazhe për Papa Françeskun
Ambasadori shqiptar në Vjenë, Fate Velaj, bëri homazhet e tij për ndarjen nga jeta të Papa Françeskut, një figurë e dashur dhe e respektuar anembanë botës. Diplomati shqiptar la një mesazh prekës në librin e ngushëllimeve në ambasadën e Vatikanit në kryeqytetin austriak, duke shprehur mirënjohjen e tij personale dhe të gjithë popullit shqiptar ndaj figurës së shquar të Atit të Shenjtë.
Në mesazhin e tij, ambasadori Velaj kujtoi me emocione vizitën historike të Papa Françeskut në Shqipëri në vitin 2014, duke e cilësuar atë si një ngjarje të paharrueshme për mesazhet frymëzuese të bashkëjetesës fetare dhe harmonisë ndërfetare.

“Ishte një lajm i hidhur ai që dëgjuam. Edhe më e hidhur ishte pamja kur pashë Papa Françeskun pa buzëqeshjen e tij aq të dashur. Më kujtohet kur ai erdhi në Tiranë në vitin 2014. Gjithë ditën binte shi dhe, në momentin që ai po ngjitej në altar, dukej sikur dikush i shtyu retë me aq forcë sa dielli shpërtheu fuqishëm.
Më kujtohet qartë fjala e tij dhe mesazhet e fuqishme që dha në sheshin ‘Nënë Tereza’, mbushur me njerëz. Pikërisht aty, ndoshta si askund tjetër në botë, prifti ortodoks, hoxha mysliman dhe përfaqësuesi i bektashinjve qëndronin së bashku për të dëgjuar fjalët e urta të Papa Françeskut. Faleminderit për gjithçka të mirë që bëre për njerëzimin dhe veçanërisht për Shqipërinë”, shkroi ambasadori shqiptar./Pamfleti
Lini një Përgjigje