Në celularët e Edi Ramës dhe Sali Berishës ndodhen provat më të forta që mund të rrëzojnë kupolën e korrupsionit, PPP-ve mafioze dhe krimit të organizuar në Shqipëri. Pasi kërcënoi hapur SPAK-un të mos guxojë të kontrollojë telefonin e tij, Edi Rama zbuloi frikën nga zbulimi i aferave korruptive, skemave të pastrimit të parave dhe lidhjeve me grupe kriminale. Në vend që të reagojë ndaj këtij presioni, SPAK hesht duke rritur dyshimet se drejtësia vazhdon të jetë peng i 4 kokave të krimit që komandojnë Shqipërinë...

Në mbledhjen me deputetët socialistë pas arrestimit të kryebashkiakut të Tiranës, kryeministri Edi Rama u shfaq i traumatizuar dhe me një panik të dukshëm për fatin e tij personal, duke paralajmëruar ashpër: “Ata të SPAK-ut, mos të bëjnë gabim të guxojnë e të kërkojnë telefonin tim!”
Nëse Babloku nuk ka asgjë për të fshehur në lidhje me korrupsionin, aferat klienteliste, pastrimin e parave apo marrëdhëniet e tij me grupe kriminale, nuk do të kishte arsye të frikësohej nga zbardhja e kontakteve të tij telefonike.
Kërcënimi i hapur i Ramës ndaj SPAK-ut krijon dyshimin e arsyeshëm se telefoni i tij është plot me prova e dëshmi lidhur me krimin e organizuar, tenderët korruptivë, PPP-të e skemave mafioze, lidhjet me eksponentë të krimit, si dhe pastrimin e parave.
Në fakt, emri i Ramës është shfaqur vazhdimisht në përgjimet për krimet zgjedhore në Dibër, në lidhjet me grupin mafioz “McGonigal”, në dosjen e manipulimeve me “Call-Center” të Amant Josifit, si dhe në shumë përgjime të tjera nga ndërkombëtarët dhe agjencitë partnere të hetimit.
Emri i tij shfaqet gjithashtu në përgjimet direkte dhe indirekte të Ilir Beqjes, Lefter Kokës, Klodian Zotos, Vilma Nushit, Alqi Bllakos, Bashkim Ulajt, Pëllumb Salillarit, Gjergj Lucës, Jurgis Çyrbjes, Ogerta Manastirliut, Altin Hajrit e shumë të tjerëve të përfshirë thellë në rrjetin mafioz të Bablokut.
Nëse SPAK-ut vërtet i mungon “lënda e parë” për të çuar para drejtësisë politikanët, qeveritarët, oligarkët, trafikantët dhe vrasësit me pagesë, mjafton të sekuestrojë telefonat e Sali dhe Shkëlzen Berishës, si dhe të Edi dhe Olsi Ramës.
Në telefonët e këtyre katër individëve ndodhen arkivat e plota të aferave kriminale, pazareve financiare dhe lidhjeve mafioze që kanë mbajtur peng zhvillimin e Shqipërisë dhe kanë shkatërruar drejtësinë e shtetit.
Në vend që, pas kërcënimit publik të Edi Ramës, drejtuesi i SPAK, Altin Dumani, të jepte menjëherë urdhër për sekuestrimin e telefonave të kryeministrit dhe familjarëve të tij, ai heshti, duke dëshmuar frikën ose varësinë nga pushteti politik.
SPAK-u po luan haptazi me dy standarde. Për shembull, Sali Berisha u mbajt tre vite nën hetim dhe një vit në arrest shtëpie, por në mënyrë të dyshimtë nuk iu sekuestrua telefoni, as atij dhe as familjarëve të tij.
Po ashtu, Gjykata e Strasburgut dhe Gjykata e Lartë kanë detyruar SPAK-un të rihapë hetimet për 4 vrasjet e protestës së 21 janarit dhe tragjedinë e Gërdecit, si dhe të arrestojë Ilir Metën për aferën CEZ-DIA. Megjithatë, as Berishës, as djalit të tij Shkëlzenit nuk u janë sekuestruar telefonat, ndonëse janë të përfshirë në këto dosje.
Po kështu, edhe Olsi Rama, vëllai i kryeministrit, ishte nën hetim për dosjen e grupit të kokainës “Xibraka” dhe për aferën kriminale “Call Center”, por edhe atij nuk i janë sekuestruar asnjëherë telefonat, ku ndodhen prova për trafik droge, gjobëvënie oligarkëve dhe ortakëri në kullat që po pushtojnë Tiranën.
Kjo situatë e rëndë provon qartë se SPAK-u është duke luajtur një lojë të rrezikshme duke i mbrojtur kokat e kupolës mafioze të Shqipërisë, ndërsa provat për të goditur rrënjët e krimit i ka në xhepat dhe celularët e atyre që kërcënojnë drejtësinë hapur dhe pa frikë.
SPAK duhet të ketë guximin dhe përgjegjësinë që të heqë maskën e frikës dhe të sekuestrojë menjëherë telefonat e katër kokave të mafies shqiptare, nëse dëshiron realisht t’i japë fund pandëshkueshmërisë./Pamfleti
Lini një Përgjigje