Pas sulmeve të përbashkëta të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Izraelit ndaj Iranit, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë u ka bërë thirrje shtetasve shqiptarë që ndodhen në Izrael të tregojnë kujdes të shtuar dhe të respektojnë udhëzimet e autoriteteve vendase.
Në reagimin zyrtar, MEPJ thekson rëndësinë e ndjekjes me vëmendje të njoftimeve zyrtare dhe zbatimit të masave të sigurisë, në kushtet e situatës së krijuar pas zhvillimeve të fundit në rajon.
Sipas ministrisë, Ambasada Shqiptare në Tel Aviv po monitoron nga afër situatën dhe është në komunikim të vazhdueshëm me autoritetet izraelite, duke qëndruar në dispozicion të plotë të qytetarëve shqiptarë që ndodhen në territorin e Izraelit.
"Në vijim të situatës së jashtëzakonshme u bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve shqiptarë që ndodhen në Izrael të tregojnë kujdes të shtuar, të ndjekin me vëmendje njoftimet zyrtare dhe të respektojnë udhëzimet e sigurisë së autoriteteve vendore.
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Ambasada Shqiptare në Tel Aviv, po ndjekin nga afër zhvillimet. Njoftojmë se Ambasada Shqiptare në Tel Aviv është në dispozicion të plotë të qytetarëve tanë të ndodhur në Izrael dhe është në komunikim të vazhdueshëm me autoritetet vendase.
Për çdo nevojë emergjente, qytetarët shqiptarë që gjenden në Izrael, janë të lutur të kontaktojnë në numrat:
+972549042813
+972544806601
Lutemi, kontaktet e emergjencës të përdoren vetëm nga qytetarët e ndodhur në Izrael. Këto kontakte nuk do të mund të japin informacione për median. MEPJ do të vijojë të informojë në mënyrë të rregullt për çdo zhvillim të mëtejshëm", thuhet në njoftim.
Lini një Përgjigje