E djathta feston për 90 të akomoduar, por “eficienca” nuk matet me shifra, të cilat gjithsesi mbeten shumë më të ulëta se ato të parashikuara në projektin fillestar. Janë vitet e jetës së personave të ndaluar që flasin...
Qendrat e emigrantëve të ngritura në Gjadër, bazuar në marrëveshjen mes Kryeministrave Edi Rama dhe Giorgia Meloni, kanë rindezuar debatet në Itali. Gjithçka ka të bëjë me atë nëse qendrat funksionojnë ose jo. Qeveria ka paraqitur si sukses faktin se në qendrën e Gjadrit janë akomoduar 90 persona, ndërsa për të majtën në Itali, shifrat nuk tregojnë sukses. Deputetja italiane e Partisë Demokratike, Rachele Scarpa, në një artikull të publikuar në l'Unita, pas një misioni monitories në Gjadër, shkruan se historitë e emigrantëve që janë akomoduar në Gjadër tregojnë dështimin e Qeverisë Meloni dhe marrëveshjes së nënshkruar me palën shqiptare.
Ajo ndalet në historitë e dy personave, të deportuar nga Italia në Gjadër, me qëllimin rikthimin e tyre në vendin e origjinës, dhe më pas rikthimin e tyre në Itali, pasi Gjykatat italiane, e konsideruan procesin si të paligjshëm.
I pari është një shtetas nga Togo, që ndodhej në Itali prej më shumë se 10 vitesh, pa precedentë penalë, punëtor i specializuar në një punishte mekanike. Ai punon në të zezë sepse është në gjendje të parregullt, pra i shantazhueshëm dhe i shfrytëzueshëm. U ndalua gjatë një kontrolli, u transferua në Shqipëri, më pas u lirua nga Gjykata e Apelit që nuk konfirmoi ndalimin dhe u kthye të punonte te i njëjti punëdhënës që vazhdon të refuzojë ta rregullarizojë. Pasi u paraqit me vullnetin e tij në komisariat pas një kontrolli të ri, u dërgua fillimisht në Trapani dhe më pas sërish në Shqipëri.
I dyti është një shtetas senegalez me bashkëshorte dhe vajza në Brescia. Edhe ai ishte ndaluar më parë në Shqipëri dhe ishte liruar për arsye shëndetësore. Pasi u kthye në Itali, rifilloi punën si lyerës barkash dhe arriti të bindë punëdhënësin ta legalizojë. U paraqit me iniciativën e tij në komisariat për të nisur procedurën e lejes së qëndrimit: u transferua fillimisht në CPR në Gradisca dhe më pas sërish në Shqipëri. Togo dhe Senegali janë vende me përqindje shumë të ulëta riatdhesimesh. Është e ligjshme të shtrohet pyetja se çfarë rezultati konkret prodhon ky qarkullim.
Shkrimi i deputetes italiane Rachele Scarpa
Nga njëra anë është narrativa, loja retorike, pyetja e thjeshtë dhe e thjeshtuar: “A funksionojnë apo jo këto qendra në Shqipëri?”. Përgjigjja, po aq e thjeshtë, serviret menjëherë: “Janë plot, pra funksionojnë”. Nga ana tjetër është realiteti, që, si gjithmonë, është shumë më kompleks se kaq.
Kam ndier keqardhje kur pashë disa media dhe përfaqësues të ndryshëm të së djathtës të nxirrnin nga komunikata e gjatë që kam dërguar së bashku me Tavolinën për Azilin dhe Imigracionin pas vizitës inspektuese në qendrën e Gjadrit vetëm një të dhënë numerike, ta absolutizonin dhe ta linin të përdorej për propagandë. Thelbi u la jashtë. Sot dua të përpiqem ta rikthej atë.
Debati mbi qendrat e qëndrimit në Shqipëri nuk mund të reduktohet në një çështje eficience. Dhe, në çdo rast, efikasiteti nuk matet vetëm me shifra. Janë historitë e personave të ndaluar që flasin. Ka të paktën dy persona të deportuar tashmë një herë në Shqipëri në vitin 2025 dhe të rikthyer atje sërish këto ditë.
I pari është një shtetas nga Togo, në Itali prej më shumë se dhjetë vitesh, pa precedentë penalë, punëtor i specializuar në një punishte mekanike. Ai punon në të zezë sepse është në gjendje të parregullt, pra i shantazhueshëm dhe i shfrytëzueshëm. U ndalua gjatë një kontrolli, u transferua në Shqipëri, më pas u lirua nga Gjykata e Apelit që nuk konfirmoi ndalimin, dhe u kthye të punonte te i njëjti punëdhënës që vazhdon të refuzojë ta rregullarizojë. Pasi u paraqit me vullnetin e tij në komisariat pas një kontrolli të ri, u dërgua fillimisht në Trapani dhe më pas sërish në Shqipëri.
I dyti është një shtetas senegalez me bashkëshorte dhe vajza në Brescia. Edhe ai ishte ndaluar më parë në Shqipëri dhe ishte liruar për arsye shëndetësore. Pasi u kthye në Itali, rifilloi punën si lyerës barkash dhe arriti të bindë punëdhënësin ta legalizojë. U paraqit me iniciativën e tij në komisariat për të nisur procedurën e lejes së qëndrimit: u transferua fillimisht në CPR në Gradisca dhe më pas sërish në Shqipëri. Togo dhe Senegali janë vende me përqindje shumë të ulëta riatdhesimesh. Është e ligjshme të shtrohet pyetja se çfarë rezultati konkret prodhon ky qarkullim.
Është edhe rasti i një shtetasi iranian të ndaluar prej tre muajsh. Me kontekstin e paqëndrueshmërisë së rëndë në vendin e tij, riatdhesimi është i parealizueshëm. Megjithatë ai vetë tregon se vështirësia për t’u rregullaruar në Evropë e ka shtyrë në një gjendje të tillë varfërie sa të dëshirojë kthimin në Iran.
Së fundi, është dëshmitari kyç i vdekjes së dyshimtë të 25-vjeçarit Simo Said në CPR-në e Barit. Një i ri me origjinë algjeriane, ndihmësi i parë i Simo-s, i traumatizuar thellë, sot i transferuar në Shqipëri pavarësisht një kërkese për marrje dëshmie të depozituar nga avokati i bashkëshortes së viktimës. Si është e mundur që është larguar nga territori italian një person që duhet të dëshmojë në një procedim për një vdekje të ndodhur në një CPR? Nuk e shpjegoj dot.
Vetëm pas këtyre historive mund të flasim për shifra. Deri pak javë më parë CPR-ja funksiononte me 10 deri në 20 persona, në një dinamikë zbrazjeje të vazhdueshme për shkak të çështjeve të dërguara në Gjykatën e Drejtësisë së Bashkimit Evropian, që i detyronin gjyqtarët italianë, duke zbatuar ligjin, t’i rikthenin të gjithë në Itali. Do të kishte qenë e arsyeshme që qeveria të ndalej që pas referimit të parë. Kjo nuk ndodhi.
Që nga 17 shkurti e në vijim, duke konsultuar regjistrin e ngjarjeve kritike dhe duke rindërtuar të dhënat, sepse as parlamentarëve nuk u garantohet qasje në një listë të plotë të pranive, kam vlerësuar ardhjen e rreth 75 personave shtesë në dy javët e fundit, për një total që sot sillet rreth 90. Por projekti fillestar fliste për 3.000 persona në vit. Seksioni për azilkërkuesit, me mbi 830 vende, është bosh. Qendra në portin e Shengjinit mbetet e papërdorur, një katedrale në shkretëtirë.
Festojnë për 90 të akomoduar sikur të ishin shenjë suksesi. Edhe nëse mbetemi vetëm në terrenin e thatë të shifrave, nuk kemi përballë një model efikas. Nëse shtojmë historitë, vuajtjen, mungesën që nga prilli 2025, të vendimeve të shkruara dhe të arsyetuara për transferimet, gjë që hap skenarin për qindra ankesa dhe kërkesa dëmshpërblimi, tabloja bëhet ajo e një ngërçi juridik, financiar dhe mbi të gjitha njerëzor.
Pakti i ri Evropian për Azilin dhe Migracionin do të hyjë në fuqi vetëm në qershor 2026. Asgjë nga ai kuadër normativ nuk është sot i zbatueshëm dhe përputhshmëria e tij me Protokollin Itali-Shqipëri, në formën aktuale, nuk është aspak e sigurt. Megjithatë qeveria vazhdon të paraprijë zbatimin e tij, duke i shndërruar këto struktura në një laborator politik dhe në një terren të mundshëm përplasjeje me gjyqësorin.
“Është plot, pra funksionon” është një slogan efektiv. Por realiteti nuk është slogan. Realiteti janë persona që hyjnë dhe dalin pa zgjidhje, dëshmitarë të larguar, riatdhesime të pamundura, qendra gjysmë bosh të paraqitura si triumfe, të drejta të shkelura. Gjithçka nën shenjën e mungesës së transparencës”.
Nëse funksionon kështu, a është sukses... /Pamfleti/
Lini një Përgjigje