TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 7 Tetor 2025, 17:42

Eric Adams mbërrin në Shqipëri, Rama i vë në dispozicion helikopter

Shkruar nga Pamfleti

Eric Adams mbërrin në Shqipëri, Rama i vë në

Kryebashkiaku i Nju Jorkut, Eric Adams, ka mbërritur në Shqipëri për një vizitë 4-ditore, e cila deri tani po zhvillohet në mënyrë disi të fshehtë dhe me masa të shtuara sigurie. Adams ka mbërritur të dielën në vendin tonë, ndërsa këtë të martë u pa në qytetin e Vlorës, ku është pritur nga forca të shumta policie dhe një delegacion amerikan.

Adams udhëtoi me helikopter drejt Vlorës dhe ndaloi në vilën qeveritare. Më vonë, ai pritet të vizitojë zonën e Orikumit. Ndërkohë, më herët është bërë e ditur se ai do të takohet me kryeministrin Edi Rama, por pa asnjë axhendë zyrtare të publikuar deri tani. Kjo ka ngritur pikëpyetje mbi natyrën reale të vizitës dhe përfitimet konkrete për Shqipërinë.

Zëdhënësja e tij, Kayla Mamelak, tha se qëllimi i kësaj vizite lidhet me rritjen e aktivitetit ekonomik dhe turizmit në Nju Jork. “Gjatë ditëve të ardhshme, Kryetari i Bashkisë Adams do të udhëtojë për në Shqipëri, ku do të takohet me kryeministrin, udhëheqësit e biznesit dhe teknologjisë, do të vizitojë fabrikat dhe do të diskutojë mundësi të reja për të rritur aktivitetin ekonomik dhe turizmin në New York City”, deklaroi ajo.

Por deri tani, nuk ka transparencë mbi takimet konkrete, investimet që priten ose marrëveshjet që mund të nënshkruhen. Në një kohë kur Shqipëria ka hyrë në një sezon të nxehtë politik dhe ekonomik, prania e një zyrtari të nivelit të lartë amerikan nuk mund të shihet vetëm si “vizitë miqësore”.

 

Lini një Përgjigje