TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet13 Dhjetor 2024, 22:03

Emigrimi i shqiptarëve, Gonzato “nxin” qeverinë: Të rinjtë ikin për shkak të cilësisë së arsimit, sistemi shëndetësor dhe korrupsionit!

Shkruar nga Pamfleti

Emigrimi i shqiptarëve, Gonzato “nxin” qeverinë: Të

Ambasadori i BE-së në Tiranë, Silvio Gonzato i ka dhënë një shuplakë të fortë qeverisë “Rama”, teksa ka theksuar se emigrimi masiv i shqiptarëve ka tre arsye kryesore, cilësia e arsimit, sistemi shëndetësor dhe besimi tek institucionet.

Pavarësisht pretendimeve të kryeministrit Edi Rama, se shëndetësia, arsimi lufta ndaj korrupsionit kanë njohur ndryshime masive gjatë qeverisej së tij, ambasadori i BE-së nuk është i të njëjtit mendim.

Sipas Gonzatos, këto janë tre arsyet madhore pse shqiptarët braktisin vendin e tyre, teksa theksoi se Shqipëria ka nevojë për njerëz të aftë në mënyrë që të përparojë me reformat.

Shqipëria ka nevojë për njerëz të aftë, njerëz profesionistë që mund ta ndihmojnë atë të bëjë përparim me reformat dhe gjithçka që duhet bërë për t’u bashkuar me Bashkimin Evropian. Njerëzit do të thonë, epo, ju e dini, nuk ka punë mjaftueshëm, apo punët nuk janë shumë të kualifikuara. Unë e shoh ndryshe. Mendoj se problem është arsimi. Cilësia e arsimit në Shqipëri duhet të përmirësohet. Kjo është arsyeja pse së fundmi ne kemi përmirësuar programin Erasmus”, tha Gonzato, për emitonin në “Çdo kënd”, në “A2CNN”.

Problemi me sistemin shëndetësor sipas tij është që disa njerëz nuk marrin shërbimet e nevojshme shëndetësore.

“Gjëja tjetër është që unë mendoj se edhe sistemi shëndetësor duhet të përmirësohet, sepse për disa njerëz është gjithashtu shqetësim që nuk marrin shërbimet e nevojshme shëndetësore, siç do t’i merrnin në vende të tjera evropiane”, shtoi ambasadori.

Ndërsa sa i takon besimit tek institucionet, Gonzato thotë se është gjëja më re rëndësishme për të mbajtur njerëzit këtu. Sipas tij, të rinjve duhet t’iu kthehet besimi se sistemi i drejtësisë funksionon, në mënyrë që ata ta shohin të ardhmen këtu dhe jo larg atdheut.

“Dhe gjëja e tretë, që mendoj se është edhe më e rëndësishme, është besimi, besimi tek institucionet. Dhe këtu hyn në lojë i gjithë elementi i shtetit ligjor. Nuk është rastësi që në Planin e Reformave dhe Rritjes, e dini, plani që kemi nisur tani për të nxitur realisht rritjen ekonomike në Shqipëri, një nga shtyllat ka të bëjë konkretisht me shtetin ligjor, sepse investitorët nuk do të vijnë në Shqipëri nëse nuk kanë besim se i gjithë sistemi është i drejtë, se interesat dhe të drejtat e tyre do të mbrohen, se nuk ka korrupsion e kështu me radhë. Është e njëjta gjë me të rinjtë. Unë kam kaluar shumë kohë në 12 muajt e fundit me të rinjtë, sepse mendoj se, në fund të fundit, është e ardhmja e tyre. Unë jam i vjetër, por mendoj se anëtarësimi në Bashkimin Evropian është për ta. Dhe kështu po ju thosha, a nuk jeni të emocionuar që kjo është koha kur të rinjtë mund të luajnë vërtet një rol në një vend? E dini, në Itali kam ndier gjithmonë se të moshuarit kishin gjithmonë rolet më të rëndësishme. Unë isha gjithmonë shumë i ri për të bërë diçka. Por këtu, nuk mendoj kështu. Dhe ata thoshin, jo, nuk kam besim te sistemi, ju e dini, po nuk njohe njerëz, nuk gjen punë, nuk e merr pozicionin. Pra, ne duhet të rikthejmë tek ata besimin se nëse janë të aftë, nëse kanë arsimin e duhur, nëse janë të përkushtuar dhe të motivuar, do të bëjnë karrierë dhe do të përmbushin ambiciet e tyre. Ky është, mendoj, elementi më i rëndësishëm për t'i mbajtur njerëzit këtu", tha ndër të tjera diplomati europian.

Lini një Përgjigje