
Profil i një monstre kriminale, që tregon se krimi është vetë policia/ Të gjithë atyre që çuditen dhe pyesin se çfarë “magjie” u bën shefave në Durrës e në Tiranë që nuk e arrestojnë, por e rikthejnë përsëri në polici, Arben Luçi u përgjigjet: - “U hedh ushqim që s’ lehin më e s’më kafshojnë...”; pra i krahason shefat me qentë
Përveç mushkonjave në plazh, shqetësim në Durrës edhe këtë sezon veror është një “piliveskë” me detyrë inspektor policie i quajtur Arben Luçi, dhe i njohur si monstër e gjobave banditeske, sidomos ndaj kosovarëve e jo durrsakëve në këtë sezon plazhi.
Megjithëse është punonjës policie që duhet të luftojë krimin e të mbrojë qytetarët, Arben Luçi është kontingjent krimesh, abuzimesh me detyrën, me disa procese hetimi nga vetë Policia e Durrësit dhe Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, profil që tregon se krimi është vetë policia.
Në dosjen e këtij “tipi” janë 110 denoncime e 8 masa ndëshkimore për korrupsion e ryshfet, bashkëveprim me eksponentë të krimit e favorizim të tyre, zaptim prone, përfshirje në trafik makinash, tejkalim kompetencash, mos raportim krimesh, zhvatje materiale ndërtimi e mobilimi nga bizneset, shkelje të etikës e rregullores dhe denigrim të figurës së policit.
Për këto abuzime, me përmbajte vepra penale, drejtuesit e policisë të Qarkut Durrës dhe Drejtoria e Përgjithshme; Arben Luçin e kanë hetuar 13 herë, i kanë dhënë masa disiplinore 8 herë dhe e kanë pezulluar 3 herë nga detyra në harkun kohor të 7 viteve të fundit, por asnjëherë nuk e kanë prangosur, madje as e kanë proceduar penalisht, duke u mjaftuar me vërejtje.
Psh., më 7 gusht 2017, një qytetar nga Kosova ka denoncuar 3 punonjës policie mes tyre dhe Arben Luçin, me akuzën e provuar se i kishin marrë ryshfet me presion dhe të tre u pezulluan nga detyra e u firmos urdhri i përjashtimit, por çuditërisht dy policët e I.Sh e I.V u ndëshkuan, ndërsa Arben Luçi pas 2 javësh u rikthye në detyrë.
Më 28 korrik 2019, ish-Drejtori Ardi Veliu e pezulloi nga detyra Arben Luçin, me akuzën e komunikimit rrugaçëror dhe kërcënimit për dhunë ndaj një pushuesi nga Kosova në Durrës, të cilit i kishin grabitur sende personale, ndërsa Arben Luçi tentoi ta fshihte si krim ngaqë hajdutët ishin të njohur të tij.
Por pas 10 ditësh, iu hoq masa e pezullimit dhe Arben Luçi u kthye në detyrë e filloi avazin, duke u krekosur si i paprekshëm, që prek cilin të dojë e si të ketë qejf, deri me kërcënime, fyerje, dhunime fizike e shoqërime në polici për presion; sjellje e veprime që i bën akoma.
Më 7 shkurt 2020, mes 8 policëve të pezulluar për ryshfete duke mos raportuar ndërtime pa leje, kultivim kanabasi e fshehje ngjarjesh kriminale në Durrës, ishte dhe Arben Luçi i publikuar në deklaratën e parë të policisë, por më pas iu fshi emri, iu hoq masa e pezullimit dhe nuk u çua për hetim penal në Prokurori e SHÇBA.
Për shkak të abuzimit me detyrën, Arben Luçi është plagosur dy herë e është rrahur disa herë nga “të fortët” dhe qytetarët; konkretisht i goditur me makinë mbrëmjen e 18 korrikut 2013 te Ura e Dajlanit nga shtetasi L. Kadilli, ku polici Luçi kishte pikën e tij ilegale për zhvatje ryshfetesh.
Kjo është konfirmuar dhe nga Vendimi nr. 636, datë 27.06.2014 i Shkallës së Parë Durrës; Vendimi nr. 255/99, datë 10.02.2016 i Apelit Durrës dhe nga Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë më 11 nëntor 2021.
Të gjithë atyre që çuditen dhe e pyesin se çfarë “magjie” u bën shefave në Durrës e në Tiranë që nuk e arrestojnë, por e rikthejnë përsëri në polici, Arben Luçi u përgjigjet: - “U hedh ushqim që s’lehin më e s’më kafshojnë”; pra i krahason shefat me qentë.(Vijon)./Pamfleti
Lini një Përgjigje