
Belgët dhe holandezët valë vizitash në Tiranë…
Nuk kanë fund telashet për bosët e krimit dhe jo vetëm, që dalin te përgjimet e “Sky Ecc” dhe “EncroChat”. SPAK falë këtyre përgjimeve ka goditur grupet më të mëdha kriminale në vend, por duket se ka dhe shumë të tjerë.
Në fillim të kësaj jave erdhi në Tiranë drejtuesja e Prokurorisë Federale të Belgjikës, Ann Fransen, bashkë me disa prokurorë të tjerë. Ata u takuan me Altin Dumanin dhe prokurorët e SPAK.
Fokusi ishte pikërisht zbërthimi i Sky Ecc dhe goditja e grupeve kriminale që dalin aty. Duhet të theksojmë se rrjeti u zbërthye nga Holanda, Belgjika dhe nga Franca. Sot vetë SPAK reagoi mbi takimin.
“Në takime të veçanta me prokurorë të tjerë të Prokurorisë së Posaçme u diskutuan gjithashtu mekanizmat për përshpejtimin e komunikimit mes dy palëve dhe për qasje proaktive në shkëmbimin e të dhënave në kohë reale, duke rritur efikasitetin në ndihmën e ndërsjellë juridike. Diskutimet u përqendruan në fuqizimin e bashkëpunimit dypalësh për luftën kundër krimit të organizuar, trafikimit të narkotikëve dhe pastrimit të parave. Ky takim shënon një hap të rëndësishëm të SPAK në përmbushjen e objektivave të tij duke krijuar një perspektivë pozitive për bashkëpunimin mes autoriteteve shqiptare dhe atyre belge, në luftën kundër krimit të organizuar, trafiqeve të narkotikëve dhe pastrimit të parave. Me këtë nivel të ri angazhimi dhe mbështetjeje nga agjencitë ligjzbatuese evropiane, SPAK po rrit ndjeshëm kapacitetet në luftën kundër krimit të organizuar në Shqipëri dhe vendet e Bashkimit Evropian”, theksohet në njoftimin e SPAK.
Por duket se pas largimit të saj ka ardhur një tjetër kryerprokurore, këtë herë ajo e Holandës, po shtet që ka kontribut te zbërthimi Sky Ecc dhe që ka dërguar shumë dosje në Shqipëri. Sue Preenen është takuar me kryeprokurorin Olsian Çela, teksa priten takime dhe në SPAK.
“Palët diskutuan mbi nivelin e deritanishëm të bashkëpunimit si dhe u fokusuan në identifikimin e rrugëve efikase për forcimin e tij, përmes shkëmbimit të shpejtë të informacionit, hetimeve paralele si dhe grupeve të përbashkëta hetimore. Prioritet do të ketë edhe goditja e aseteve kriminale të personave të përfshirë në aktivitetet kriminale që prekin të dy vendet”, njoftoi Prokuroria e Përgjithshme.
Në “SkyEcc” dhe “EncroChat” dalin jo vetëm emra të krimit, por dhe politikanë. Fakti që vijnë personazhe të nivelit kaq të lartë, do të thotë se diçka e madhe po gatuhet. /Pamfleti
Lini një Përgjigje