TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet15 Tetor 2025, 14:21

Dosja SASPAK, ish-ministri Beqaj në seancën paraprake në GJKKO: Akuzat janë të pabaza

Shkruar nga Pamfleti

Dosja SASPAK, ish-ministri Beqaj në seancën paraprake në GJKKO:

Në GJKKO po zhvillohet seanca paraprake për dosjen SASPAK, ku ish-ministri Ilir Beqaj është përballur me akuza për korrupsion pasiv në cilësinë e Drejtorit të Përgjithshëm të SASPAC. Seanca po mbahet me dyer të mbyllura.

Në fjalën e tij para gjykatës, Beqaj mohoi kategorikisht akuzat, duke theksuar se në vendimet e Gjykatës është vënë në dukje se ai nuk është funksionar i lartë, çka sipas tij hedh poshtë akuzën për korrupsion pasiv në këtë cilësi.

Por nga raportimi i djeshëm i kreut të SPAK, Altin Dumani, në Komisionin e Ligjeve, Ilir Beqaj u shpreh se kuptoi përse e kanë kualifikuar veprën ndaj tij sikur ka qenë funksionar i lartë shtetëror.

“Edhe pse kjo seancë zhvillohet me dyer të mbyllura dua të bëj deklaratën në vijim: Në njoftimin e akuzës, 17 shkurt 2025 unë akuzohem edhe për veprën e korrupsionit pasiv të funksionarit të lartë për veprime të kryera në cilësinë e Drejtorit të Përgjithshëm të SASPAC. Në 6 shtator 2023 procedimi penal 190/2023 është regjistruar për veprën penale të korrupsionit pasiv të funksionarit publik. Më tej është bërë rikualifikim i veprës penale.

Në vendim e caktimit të masës në shkallën e parë të GJKKO në 6 korrik 2024 shkruhet se, por edhe arsyetohet pse, Drejtori i Përgjithshëm i SASPAC nuk është funksionar i lartë. Edhe në vendimin e apelit të GJKKO po për vlerësimin e masës së sigurisë me 7 gusht 2024 shkruhet se, por edhe arsyetohet pse, Drejtori i Përgjithshëm i SASPAC nuk është funksionar i lartë.

Se kush funksionar i lartë sipas Kushtetutës dhe Kodi i Procedurës Penale, është shumë e qartë. Listë e subjekteve është shteruese. Më ka habitur shumë kjo lloj akuze. Kam pritur ballafaqimin gjyqësor. Por nga dje e kuptova. Më sqaroi drejtuesi i SPAK me çfarë raportoi në Komisionin e Ligjeve të Kuvendit. Mesa duket SPAK i mungonte në statistika hetimi i funksionarëve të lartë që shpërdorojnë fonde të BE-së. Po ashtu kuptova edhe masën e sigurisë joproporcionale.

Janë disa vendime të Gjykatës së Posaçme që kanë rrëzuar SPAK lidhur me cilësimin e funksionarit të lartë. SPAK vijon me të vetën, ndërsa Inspektori i Lartë i Drejtësisë fle gjumë”, tha Beqaj.

Ish-ministri shtoi se ka vendime të Gjykatës që e çojnë poshtë këtë cilësim dhe kritikoi mungesën e veprimit nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë.

Lini një Përgjigje