TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet15 Tetor 2025, 11:14

A është tërhequr dhëndri i Trump nga Sazani dhe cili është shkaku real i xhindosjes së Edi Ramës!?

Shkruar nga Pamfleti

 A është tërhequr dhëndri i Trump nga Sazani dhe cili

Tërheqja e Jared Kushner dhe e fondeve saudite nga projekti i resortit në Sazan ka tronditur planet e “Shqipërisë 2030”, duke e lënë Edi Ramën pa investitorët e tij të artë dhe pa xhepat e Gjirit që financonin ëndrrën e tij mesdhetare.

Ka më shumë se dy javë që në Tiranë po qarkullojnë zëra për tërheqjen e Jared Kushner nga projekti për ndërtimin e një resorti luksoz në ishullin e Sazanit.

Pas braktisjes së projektit në Beograd, kjo u përfol gjerësisht, por Kushner deklaroi në një forum investimesh se projekti në Shqipëri ishte ende “në orbitën e tij”.

Megjithatë, me përfshirjen e tij të drejtpërdrejtë në kabinetin e Donald Trump për planin e rindërtimit të Gazës, gjithçka është bërë më e qartë.

Si zakonisht, gjithçka lidhet me paratë. Financuesit kryesorë të projektit, fondet saudite, e kanë zhvendosur interesin e tyre.

Siç e tha vetë Donald Trump, vendet e pasura të Gjirit do të përqendrojnë fondet miliardëshe në rindërtimin e Gazës, që tashmë shihet si kantieri më i madh i investimeve arabe, me rëndësi jo vetëm ekonomike, por edhe gjeopolitike e strategjike.

Në këtë panoramë të re, për arabët ka shumë më tepër vlerë që ta kthejnë rivierën palestineze në një “xhevahir të turizmit” sesa ish-bunkerin e Enver Hoxhës në kanalin e Otrantos.

Tërheqja e sauditëve nga Sazani nuk është vetëm një problem momental, por një tronditje që mund të krijojë një boshllëk të madh në projektin financiar të “Shqipërisë 2030”, ëndrra e Edi Ramës për një “xhenet arabik” nga Durrësi në Sazan, ku sheikët do të lanin dhe shumonin paratë mesdhetare të turizmit luksoz.

I shumëpërfoluri Mohamed Alabbar nuk ka vënë këmbë në Shqipëri prej kohësh, ndërsa sheikët që dikur frekuentonin ambientet e Ramës janë zhdukur pothuajse krejtësisht.

Kjo “thatësirë arabe” është bërë fakt, ndaj Rama është rikthyer t’u përkulet burokratëve të Brukselit, duke u shfaqur më “europian” se vetë europianët, me shpresën se do të mbajë hapur kanalet politike dhe financiare që po i mbyllen njëra pas tjetrës.

Sipas burimeve pranë rrethit të tij, humbja e investimit të Sazanit, për të cilin kishte lobuar e shpenzuar për më shumë se dy vjet e ka goditur rëndë kryeministrin, duke e çuar në një gjendje të fortë pasigurie politike dhe personale.

Në realitet, Rama po përjeton periudhën e vetmisë më të madhe në karrierën e tij politike, i braktisur nga jashtë dhe i izoluar nga brenda.

Thjesht i duhet një shtytje për të rënë, ndoshta më shpejt nga sa shumëkush mund ta mendojë./Pamfleti

kushner rama sazani tërheqja

Lini një Përgjigje