Ish-prokurori Eugen Beci ka ngritur shqetësime të forta lidhur me raportimin e SPAK përpara Kuvendit të Shqipërisë, duke e quajtur këtë një situatë paradoksale që kërkon zgjidhje kushtetuese.
Beci u shpreh se është e papranueshme që një prokurori e krijuar për të hetuar korrupsionin, shpërdorimin e detyrës, madje edhe përplasjet fizike mes deputetëve, të detyrohet të japë llogari pikërisht përpara tyre.
“Ballafaqimi duhet rregulluar. Nuk mundet që një prokurori, e cila ka si synim të hetojë korrupsionin, shpërdorimin dhe madje edhe rrahjet mes deputetëve, të shkojë e të japë llogari para tyre. Duhet gjetur një zgjidhje në Kushtetutë. Ky është një paradoks që ndodh,” deklaroi Beci.
Duke iu referuar çështjes së bujshme “McGonigal”, Beci tha se zvarritja e hetimeve është e lidhur me kërkesat për ndihmë juridike ndaj autoriteteve amerikane. Sipas tij, përfundimi i hetimeve do të varet nga përgjigjet dhe provat që do të vijnë nga SHBA.
“Nëse një profesionist dëgjon referimin e SPAK para Parlamentit, ku thuhet se dosja McGonigal po zvarritet sepse i është kërkuar ndihmë juridike autoriteteve amerikane, atëherë është e qartë që në varësi të provave do të shihet si do të zgjidhet këtu,” tha ai në emisionin “Trialog”.
Lini një Përgjigje