
Seanca e rradhës për dosjen Partizani do të zhvillohet në 15 shtator. Kjo u vendos gjatë seancës së sotme, ku avokatët e kreut demokrat Sali Berisha, por edhe dhëndri i këtij të fundit, Jamarbër Malltezi, kërkuan përjashtimin e trupës gjykuese, edhe pse më parë ish-Kryeministri deklaroi se nuk ka kontestime lidhur me përbërjen.
Por në seancë, avokatët e Berishës dhe dhëndri i tij, Malltezi, ngritën pretendime që ata të gjykohen nga një trupë e pavarur.
“Të gjykohemi nga një trupë jashtë kësaj gjykate, pasi është provuar tashmë që ata nuk janë të pavarur, janë të shantazhueshëm nga SPAK dhe BKH”, tha Malltezi, kërkesë që iu paraqit trupës gjykuese edhe nga avokatët e kreut demokrat, Berisha.
“Kërkojmë të gjykohemi nga një gjykate të paanshme. Gjyqtarët e gjykatës së Posaçme kontrollohen nga SPAK. Gjyqtarët e GJKKO-së janë në moritorim të vazhdueshëm gjë që nuk përmbush kushtet e pavarësisë së kësaj gjykate. Kjo mbikëqyrje e gjykatës nga një palë në proces shkel parimin e një gjykate të pavarur.
Kërkojmë përjashtimin e të gjithë gjyqtarëve të Gjykatës së Posaçme nga kjo çështje, pasi nuk përmbushim kriterin e paanshmërisë dhe dërgimin e çështjes për gjykim te gjyqtarët që nuk kontrollohen nga SPAK e BKH. Të gjykohet nga gjyqtarë jashtë kësaj gjykate”, tha Gjokutaj.
Ndërkohë prokurori i SPAK-ut, Arben Kraja, tha se çështjen në fjalë ia ka dhënë përgjigjen Gjykata Kushtetuese. “Kjo çështje ka marrë një drejtim dhe Kushtetuesja është shprehur njëherë në lidhje me kërkesa të tilla”, tha Kraja, duke iu përgjigjur kërkesës së avokatëve të Berishës dhe dhëndrit të tij, Malltezi.
Më herët, duke folur nga dyert e SPAK, ish-Kryeministri Sali Berisha tha se nuk kishte pretendime lidhur me përbërjen e trupës gjykuese, madje pohoi se nuk ka kontestime për emra konkretë.
Berisha e Malltezi janë dy nga 5 të pandehurit e asaj që konsiderohet si afera me privatizimin e ish-kompleksit Partizani. Dosja tashmë ka kaluar për gjykim në GJKKO pas 7 muajsh zvarritjeje, ndërsa kjo është faza paraprake, ku palët në proces paraqesin kërkesat e tyre, përfshi edhe ato për ndryshime të trupës gjykuese.
Lini një Përgjigje