
Kreu demokrat, Sali Berisha u paraqit sot në SPAK në respektimin të masës së sigurisë “detyrim paraqitjeje’, por edhe faktit se në GJKKO zhvillohet seanca e rradhës lidhur me hetimet për atë që njihet si dosja ‘Partizani’.
Berisha tha se do të paraqitet në seancat gjyqësore nëse do e këshillojnë avokatët e tij, ose nëse do e kërkojnë gjykatësit.
“Nuk kam kundërshti për gjykatës konkretë, por kam kundërshti për një parim themelor që ka të bëjë me pavarësinë e tij”, tha Berisha.
Ish-Kryeministri ka vijuar akuzat lidhur me Irena Gjokën, gjyqtaren e GJKKO-së, e cila i caktoi masat e sigurisë Berishës gjatë hetimeve që kryente SPAK, por edhe drejtuesit të Prokurorisë Speciale, Altin Dumani.
Duke bërë lojë fjalësh me mbiemrat teksa Altin Dumanin e quante si Altin Hajri ose Troplini, Berisha tha se mes tij dhe Irenës me 5 mbiemra është e provuar lidhja e ngushtë në krim.
“Paraqitja ose mosparaqitje ime caktohet nga avokatët. Kjo është një seancë ku do të paraqiten pretendimet nga avokatët. Kemi të bëjmë me gjykatës që në mënyrë anti kushtetuese, në kundërshtim më Kartën Europian të të Drejtave të Njeriut janë nën kontrollin e një delinkuenti të quajtur Altin Troplini. Ky është një problem në themel i drejtësisë shqiptare. Jam i gatshëm të paraqitem sipas këshillës së avokatëve”, tha kreu demokrat.
Berisha tha se në vend që KLGJ të shkarkonte dhe të çonte për ndjekje penale Irenën me 5 mbiemra sepse ka gënjyer gjatë procesit të vetting-ut, dosja e saj kalon nga Ols Çela te Ulsi Manja dhe çështjen ndaj saj e kanë hapur pa emër, çka është një lloj mbrojtje që i bëhet.
Pjesë nga akuzat e Berishës ndaj Dumanit dhe Gjokës
“Njëherë i merr burrin, pastaj i merr edhe borxhin, a keni dëgjuar ju ndonjëherë një eveniment të tillë të ndodhë?
Le të supozojmë se ka ndodhur, pra i merr borxhin gruas që i ka marrë burrin dhe i referohet në vitin 1996 kontrata e këtij viti i referohet Kodit Civil të vitit 2015.
Kodi thotë se kjo kontratë nënshkruhet në përputhje me nenin 801 të Kodit Civil, në një kohë kur Kodi Civil i vitit 1996 kishte 200 e pak nene.
Pra kjo është kryetarja e gjykatës speciale.
Irena Dumani, ta quajmë kështu më mirë se e kuptojnë më mirë njerëzit, është e dënuar me burg nga Gjykata e Janinës dhe këtë Irena Dumani e ka fshehur dhe ka thirrur Altin Troplinin tani në mbështetje që të thotë a jam unë apo nuk jam unë.
Pra tani Altin Troplini, do thotë se kjo e dënuara, për të cilën dëshmon vula apostile e Gjykatës së Janinës, do të thotë është Irena apo nuk është Irena.
Nuk është Maneku, por është Dumani.
E kuptoni ju se çfarë horrash janë këta? Sa të pafytyrë, sa të pamoral, se si e si të mbrojnë llumin në sistemin e drejtësisë.
Si të bëhen fytyra e shëmtuar e një sistemi.
Irena, të cilën Altin Troplini nuk guxon, ndonëse është paditur me emrin e Irena Dumanit, Altin Troplini nuk guxon të hapë padinë me emër, por që ta mbajë nja dy-tre vjet se do vërtetoj këtë apo atë, paçka se vula apostile tregon se Irena është dënuar me burg 3 muaj dhe këtë nuk e ka deklaruar në dokumentet e vetingut dhe deklarimit të pasurisë.
Irena ka marrë avokat dhe ka firmosur prokurë për ta përfaqësuar para drejtësisë greke në një kohë kur deklaron pafytyrësisht se nuk është dënuar kurrë. U deklaron gazetarëve se nuk është dënuar kurrë.
Dhe pikërisht mbi këtë bazë, Altin Troplini hap çështje penale, por jo me emër për Irena Gjokën, se po të hapej me emër, Irena Gjoka nuk mund të rrinte asnjë ditë të vetme në sistemin e drejtësisë.
Ajo ka kryer një seri veprash, ka mashtruar, është përzënë dhe është e dënuar me burg.
Ka fshehur, ka falsifikuar duke iu referuar Kodit të vitit 2015, për Kodin e vitit 1996 dhe ajo që është pastaj, që nuk them se në rrafshin ligjor, por në rrafshin moral, pasi i mori burrin, shkoi dhe i mori edhe 60 milionë lekë hua.
Ju e shihni pra se cilët janë individët që përfaqësojnë sistemin e ri të drejtësisë. Janë njerëz të cilët nuk kanë asnjë moral ligjor, nuk zbatojnë asnjë kriter, asnjë standard. Jam këtu për t’i denoncuar dhe do i denoncoj vazhdimisht”, tha Berisha.
Lini një Përgjigje