
Kryeministri Edi Rama paralajmëroi sot ndryshimin e ligjit për Arsimin e Lartë. Këtë deklaratë Rama e bëri gjatë prezantimit të raportit të Bordit të Akreditimit të Institucioneve të Arsimit të Lartë, ku u diskutuan të dhënat e mbledhura gjatë një cikli 4-vjeçar pune intensive për vlerësimin e universiteteve në Shqipëri.
Kryeministri e lidhi procesin e ndryshimit të ligjit me procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.
“Jemi në prag të anëtarësimit në Bashkimin Evropian, ndaj ka nevojë për një rishikim të ligjit për arsimin e lartë, i cili duhet të reflektojë përvojën e akumuluar deri më tani, por edhe zhvillimet më të fundit në sistemet akademike moderne”, tha Rama.
Ai bëri thirrje për një qasje të guximshme dhe të vendosur për të adresuar sfidat, duke përmendur se ky është një moment kyç për t’i dhënë arsimit të lartë shqiptar një hov të ri drejt standardeve europiane.
Rama theksoi rëndësinë e këtij procesi si pjesë e vizionit për një “Universitet 4.0”, duke nënvizuar se raporti përfaqëson një bilanc të vlefshëm për zhvillimin e mëtejshëm të arsimit të lartë në vend. “E kërkuam këtë takim për një bilanc të punës intensive në një 4-vjeçar kohor, i cili meriton respekt dhe falënderim për angazhimin,” tha ai.
Sipas Ramës, raporti nxjerr në pah progresin e bërë, por edhe sfidat e shumta që mbeten për t’u përballuar.
"Këtë takim e kërkuam për një bilanc të domosdoshëm të punës intensive në një 4 vjeçar kohor të bordit të akreditimit, i cili meriton respekt dhe falenderime për angazhimin, dhe patjetër kam mbledhur një tërësi të konsiderueshme të dhënash dhe eksperience për t’ia vënë në shërbim komunitetit akademik, institucioneve të arsimit të lartë, që administrojnë arsimin e lartë dhe institucioneve përkatëse të qeverisë shqiptare. Dua t’i falenderoj me shumë mirënjohje anëtarët e bordit që janë personalitete shqiptare dhe të huaja të angazhuar në botën akademike evropiane dhe i kanë vënë në dispozicion bordit, dijen, përkushtimin dhe integritetin e tyre profesional.
Nga ky raport del qartë progresi i bërë në këto vite dhe volumi jo i vogël i gjërave që mbeten për t’u bërë se ndërkohë që ne ecim përpara, nuk ka diskutim që bota fluturon. Dhe për të kapur ritmin, dhe për t’ju dhënë vajzave dhe djemve të këtij vendi, por edhe të tjerëve, një ofertë akademike serioze dhe konkurruese në kushtet kur së shpejti, Shqipëria do të bëhet anëtare e BE. Kemi nevojë të shtyjmë me shumë forcë përpara dhe të adresojmë pa ngurim ata që janë të domosdoshme për tu adresuar, duke filluar rishikim i ligjit të arsimit të lartë që i janë ribërë vitet për t’u riparë nga maja e një eksperience të akumuluar, por edhe shumë te rejave në botën akademike”, u shpreh Rama.
Lini një Përgjigje