
Dumani i ka dërguar një 'mesazh' Edi Ramës duke e paralajmëruar se skandali Mc Gonigal po hetohet prej një viti duke theksuar se për SPAK nuk ka rëndësi pushteti i tij si kryeministër...
Kreu i SPAK, Altin Dumani, në një takim me studentë të universitetit ‘Luigj Gurakuqi’ në Shkodër, organizuar nga Komiteti i Helsinkit, ka deklaruar se nuk ka rëndësi pushteti dhe se kushdo do të duhet të japë llogari në SPAK kur t’i vijë koha.
Teksa SPAK ka nisur një hetim për çështjen “McGonigal”, Dumani është pyetur nëse do të merret në pyetje edhe kryeministri Rama, i përmendur në dosje.
Dumani tha se nuk kanë rëndësi emrat, por provat.
Kreu i SPAK është shprehur gjithashtu se nuk mund të jepte përgjigje për çështje të caktuara, por ka bërë të ditur se të gjithë do japin llogari në SPAK.
Rama a do thirret për tu pyetur për çështjen McGonigal?
Dumani: Nuk mund të përgjigjem për çëshje konkrete por thashë që cilido zyrtar mund të merret në pyetje. Nuk ka rëndësi emri por provat dhe nuk ka rëndësi pushteti që ka dhe në një moment do ti duhet kujtdo që të vijë dhe të japë llogari në SPAK apo gjykatë. Ne jemi të ndjeshëm ndaj asaj që ndodh edhe në media apo kudo tjetër. Shumë media në muajin shkurt e vitit të kaluar dhe deri para 2- 3 muajsh kemi marre kritika pse nuk kemi regjistruar çështjen e Mc Gonigal dhe gjithë kritikët duhet të ndjehen të zhgënjyer se e kemi regjistruar që në janar të vitit 2023. Duhet të presim momentin kur të kemi diçka konkrete për ta publikuar.
Ndërkohë kreu i SPAK, është pyetur edhe për ish presidentin Ilir Meta se në çfarë faze është hetimi.
Dumani tha se çështja e Metës është nën hetim dhe nuk mund të japë të dhëna të tjera.
"Meta është çështje nën hetim dhe nuk mund të jap të dhëna", tha Dumani.
Kujtojmë se të hënën në SPAK u pyet për rreth 6 orë biznesmeni Agron Neza. Bëhet me dije se Neza u thirr për të dhënë shpjegime në lidhje me verifikimet që Prokuroria po kryen për çështjen e njohur gjerësisht si “McGonigal”. Pasi doli nga ambientet e SPAK interesimit të gazetarëve se për çfarë u pyet, Neza iu përgjigj shkurt: Pyesni Prokurorinë.
Sa i takon skandalit “McGonigal”, ish-agjenti i FBI ka punuar për sektorin e kundërzbulimit të FBI-së, derisa u largua nga FBI-ja në shtator të vitit 2018 dhe ndër të tjera mbulonte edhe Shqipërinë dhe Bosnje Hercegovinën. Ai akuzohet se ka marrë 225 mijë dollarë nga një ish-punonjës i shërbimeve sekrete të Shqipërisë dhe ka zhvilluar një sërë takimesh me biznesmenë dhe politikanë në Shqipëri, Kosovë dhe Bosnje, por pa i raportuar ato sipas rregullave. Sipas dokumentit të akuzës, gjatë një udhëtimi në Shqipëri në vitin 2017, “më 9 shtator i pandehuri McGonigal u takua me kryeministrin shqiptar Edi Rama dhe me Dorian Duçkën (Personi A) me kërkesë të Agron Nezës (Personi B), ai i bëri thirrje kryeministrit të kishte kujdes dhe të mos i jepte liçenca për kërkime nafte në Shqipëri një kompanie ruse guackë.
Personat A dhe B kishin interesa financiarë nga vendimi i qeverisë shqiptare. I pandehuri McGonigal i dha kryeministrit një suvenir të FBI-së në prani të personit B”. Akt-padia vendos një lidhje të drejtpërdrejtë të takimeve të ish zyrtarit të FBI-së me kryeministrin shqiptar në prani të personave të tretë A dhe B, që ishin shtetas privatë. Është e paqartë se përse kryeministri është takuar me një zyrtar të lartë të FBI-së në prani të personave privatë.
Ndërkohë më 22 shtator, Charles McGonigal pranoi fajësinë se kishte marrë 225,000 dollarë nga shqiptaro-amerikani, Agron Nezaj, i cili sipas dokumenteve në gjykatë, u bë informatori për hetimin e FBI-së lidhur me kontaktet dhe takimet e tij në Shqipëri.
Pranimi i fajësisë u bë në gjykatën federale në Uashington, në bazë të një marrëveshjeje mes prokurorëve dhe avokatëve të zotit McGonigal. Ai pranoi fajësinë për një prej pikave të aktpadisë, atë për fshehjen e provave materiale, dhe prokurorët hoqën dorë nga tetë pikat e tjera.
Çdo pikë e aktpadisë përmban disa akuza.
Arritja e marrëveshjes do të thotë që çështja nuk do të shkojë në gjyq. Kjo gjithashtu do të thotë që nuk do të bëhen publike të dhëna të tjera për këtë çështje.
Zoti McGonigal pranoi të gjithë akuzat që kishin të bënin me Shqipërinë, përfshirë kontaktet me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama dhe këshilltarin jozyrtar të kryeministrit, Dorian Duçka.
I pyetur nga gjykatësja Colleen Kollar-Kotelly, nëse më 25 nëntor, ai kishte “informuar Prokurorin e Departamentit të Drejtësisë … për një hetim të mundshëm kriminal për një shtetas amerikan, që ishte regjistruar për të bërë lobizëm ‘për një parti që nuk ishte e kryeministrit Rama’, zoti McGonigal u përgjigj “Po”.
Zoti McGonigal kishte marrë informacion për këtë lobist nga zoti Duçka.
Në akt-padi nuk identifikohet lobuesi amerikan dhe as partia shqiptare. Por më 14 nëntor të vitit 2017, lobisti Nick Muzin, depozitoi në Departamentin e Drejtësisë, ndonëse me vonesë, dokumentet mbi aktivitetin lobues të disa muajve më parë për llogari të PD-së, i cili më pas është bërë subjekt hetimi në Shqipëri për origjinën e parave.
Më 26 shkurt 2018, zyra e FBI-së në Nju Jork hap zyrtarisht hetime të përqendruar tek lobisti amerikan me kërkesën dhe nën udhëzimin e zotit McGonigal.
Gjatë seancës zoti McGonigal pranoi se i kishte krijuar lidhjet dhe kontaktet në Shqipëri përmes një mikut të tij, duke iu referuar Nezës, me synimin për të përgatitur terrenin që pasi të largohej nga FBI-ja të ndiqte mundësi biznesi dhe përfitimesh në Shqipëri.
“Përpara se të largohesha nga FBI në shtator 2018, po planifikoja të hapja një biznes konsulence për çështje sigurie me një mik. E dija se kontaktet e mia me qeverinë dhe marrëdhëniet ndërkombëtare mund të ishin të dobishme për mua kur më vonë të nisja biznesin”, tha ai në gjykatë duke iu referuar kontakteve me qeverinë e Shqipërisë.
Ai shtoi më tej, ashtu siç thuhej edhe në aktpadi edhe në deklaratën e fajësisë, se nuk i kishte deklaruar 220 mijë dollarët që tha se i kishte marrë hua nga miku i tij dhe partneri i mundshëm biznesit, duke iu referuar Nezës si edhe nuk kishte deklaruar kontaktet me qytetarë të huaj.
Zoti McGonigal pranoi në seancë faktin që ishte takuar disa herë me Kryeministrin Edi Rama duke filluar nga shtatori 2017, duke filluar nga takimi i parë më 9 shtator në prani të zotit Duçka që vazhdon të figurojë si personi B edhe në dokumentin ku ofrohet një akuzë e reduktuar.
I pyetur nga gjykatësja nëse pas udhëtimit në shtator 2017, ai kishte mbajtur “një marrëdhënie të vazhdueshme me kryeministrin e Shqipërisë dhe personin B”, zoti McGonigal u përgjigj “Po”.
Lini një Përgjigje