TAGS-AT E JAVËS

Dosja e zezë13 Nëntor 2023, 20:13

Dosja e “21 Janarit” drejt rihapjes? Strasburgu del me vendim për vrasjen e Aleks Nikës

Shkruar nga Pamfleti
Dosja e “21 Janarit” drejt rihapjes? Strasburgu del me vendim
Momente nga "21 Janari"

Të martën, Strasburgu do të dalë me një vendim për vrasjen e Aleks Nikës, i vetmi që u qëllua për vdekje në protestë dhe për të nuk u bë përgjegjës askush...

Drejtësia shqiptare pritet të marrë një tjetër goditje nga Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut sa i takon hetimeve për masakrën e 21 Janarit 2011.

Deri më sot Strasburgu ka marrë disa vendime për familjarët e viktimave, ku qeveria është detyruar t’i dëmshpërblejë, teksa është kërkuar që atyre tu garantohet një proces i drejtë ligjor. Por pavarësisht vendimeve kjo nuk ka ndodhur.

Shpresa e fundit është ditën e nesërme. Të martën, Strasburgu do të dalë me një vendim për vrasjen e Aleks Nikës, i vetmi që u qëllua për vdekje në protestë dhe për të nuk u bë përgjegjës askush. Familjarët e të ndjerit pas një padie në vitin 2016, ju drejtuan dy vite më parë për herë të dytë Strasburgut. Ata e cilësojnë të paplotë hetimin për vrasjen e Nikës dhe për këtë arsye bënë padi për rihapjen e hetimeve.

Kërkuesit, Rajmonda, Amelia dhe Mentila Nika, janë shtetas shqiptarë të lindur në vitin 1984, 2009 dhe 2010, respektivisht, dhe jetojnë në Lezhë (Shqipëri).

Çështja ka të bëjë me vdekjen e bashkëshortit dhe babait të kërkuesve pasi ai ishte qëlluar me armë zjarri në vitin 2011 gjatë një demonstrate përpara zyrës së kryeministrit shqiptar. Protesta ka çuar në konfrontime midis demonstruesve dhe autoriteteve, duke rezultuar në katër të vdekur dhe shumë të plagosur, duke përfshirë 45 civilë, 82 oficerë të Gardës Kombëtare dhe 27 oficerë policie.

Duke u mbështetur veçanërisht në nenin 2 (e drejta për jetë/hetim) të Konventës Evropiane të Njeriut kërkuesit pretendojnë se përdorimi i forcës nga autoritetet gjatë protestës ishte i tepruar dhe se hetimi për vdekjen e të afërmit të tyre ishte joefektiv. Ata pretendojnë në veçanti se komandant i përgjithshëm i Gardës Kombëtare, i ngarkuar me mbrojtjen e zyrës së Kryeministrit, urdhëroi njerëzit e tij të hapnin zjarr ndaj protestuesve”, njofton gjykata, duke lajmëruar daljen e vendimit nesër.

Dosja e “21 Janarit” drejt rihapjes? Strasburgu del me vendim

Pak kohë më parë Strasburgu kërkoi nga autoritetet shqiptare se ku janë me hetimet dhe për çdo procedure të ndjekur, në funksion të zbardhjes së ngjarjes. Gjithashtu shtetit shqiptar i është kërkuar informacion nëse familjarët e të ndjerit kanë pasur akses në fazën hetimore te procesit, dhe nëse kanë kërkuar të përfshihen në proces.

Vendimi vjen në një kohë kur prokuroria ka bllokuar hetimet. Fillimisht ishte policia që riaktivizoi dosjen duke kërkuar ekspertizë të re dhe marrjen në pyetje të dëshmitarëve, por Prokuroria e Tiranës dështoi me hetimet. Më pas ishte gazetari Artan Hoxha që nxori një përgjim ku Garda urdhërohej të qëllonte mbi turmën. Familjarët bënë padi në SPAK, por specialët e kaluan te Prokuroria e Tiranës, ku hetimet vijojnë të jenë të bllokuar.

Nga shembujt e dhënë më herët, Strasburgu pritet të kërkojë rihapjen e dosjes. Në rastin e Ziver Veizit u kërkua e njëjta gjë.

I riu nga Lezha, që u plagos rëndë më 21 janar rreth orës 14:45, gjeti vdekjen dy javë më pas në një spital në Turqi, ku u dërgua për kurim.

Atje mjekët nxorën plumbin nga trupi dhe predha iu dorëzua autoriteteve shqiptare për efekt ekspertimi.

Verifikimi i Policisë Shkencore do të bënte një krahasim të plumbit me 75 copë automatikë dhe rreth 60 armë pistoleta, të gjitha 9 mm, të sekuestruara te Garda e Republikës pas ngjarjeve të 21 janarit por dëmtimi i saj e bëri të pamundur identifikimin.

Predha ishte dëmtuar në vjaska, elementi i vetëm dallues që shërben për ekspertimin. Bazuar në vjaskat (gjurmët) e lëna në predhë nga pjesa e brendshme e tytës së armës në momentin e qitjes, bëhet edhe identifikimi i automatikut apo pistoletës që ka kryer qitjen.

Në lidhje me dëmtimet e predhës hetuesit kanë dy versione, por që asnjëri prej tyre nuk është konfirmuar ende.

Varianti i parë është një rikoshetë e plumbit në ambient, para se të godiste viktimën dhe versioni i dytë është dëmtimi i plumbit në kockat e 36-vjeçarit nga Lezha, pasi nga ekzaminimet del se predha i kishte prekur atij një pjesë të kafkës së kokës. Por hetimet kanë dështuar në zbardhjen e së vërtetës. /Pamfleti

Lini një Përgjigje