
Një takim me rëndësi simbolike dhe shpirtërore ka ndodhur sot në Vatikan, ku ipeshkvi i Dioqezës së Rrëshenit, imzot Gjergj Meta, ka përshëndetur Atin e Shenjtë, Papa Leonin XIV.
Takimi u zhvillua në kuadër të Audiencës së Përgjithshme të së mërkurës dhe u pasua me një ftesë të qartë nga ana e ipeshkvit shqiptar për një vizitë papnore në Shqipëri.
Sipas njoftimit zyrtar të shpërndarë nga Dioqeza e Rrëshenit, imzot Meta i ka shprehur Papës urimet më të përzemërta për zgjedhjen e tij si Pasardhës i Shën Pjetrit dhe e ka informuar se vetëm pak ditë më parë, së bashku me komunitetin e shqiptarëve katolikë në Itali, janë lutur për të në Shenjtëroren e Zojës së Këshillit të Mirë në Genazzano.
“Sot, më 28 maj 2025, ipeshkvi i Dioqezës sonë të Rrëshenit, imzot Gjergj Meta, përshëndeti Atin e Shenjtë, Papa Leonin XIV, në Udiencën e Përgjithshme të së mërkurës.
Imzot Gjergji i tregoi atij se të dielën e kaluar, së bashku me shqiptarët katolikë të Italisë, janë lutur për të në Shenjtëroren e Zojës së Këshillit të Mirë, në Genazzano. Gjithashtu, në emër të ipeshkvijve dhe të Kishës Katolike në Shqipëri, e uroi Atin e Shenjtë për zgjedhjen e tij si Pasardhës i Pjetrit dhe e ftoi atë që të vijë në vendin tonë. Qoftë lëvduar Jezu Krishti!”, thuhet në reagim.
Lini një Përgjigje