Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, publikoi letrën me të cilën Ilir Meta i ka komunikuar avokatit Kujtim Cakrani vendimin për t'i dhënë fund bashkëpunimit mes tyre. Në arsyetimin e tij, ish-presidenti shprehet se kompleksiteti i procesit gjyqësor dhe ndjekja e çështjes edhe në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut kërkojnë një mbrojtje ligjore të përqendruar vetëm te dosja e tij.
“Duke ju falënderuar për bashkëpunimin e deritanishëm dhe me shpresën e mirëkuptimit tuaj, përshkak jo vetëm të angazhimeve tuaja të shumta dhe të shtuara, ndërkohë që ngarkesa e çështjes sime, jo vetëm në themel, por edhe për GJEDNJ, kërkon angazhim të përditësuar e të përhershëm, kam vendosur që të kem një avokat që të merret vetëm me çështjen time dhe që të jetë në dispozicionin tim tërë kohën”, shkruan Meta.
Në letër, kreu i Partisë së Lirisë i kërkon Cakranit që të gjithë dokumentacionin e dosjes t'ia dorëzojë sekretarit të përgjithshëm të partisë, Tedi Blushi, ndërsa për detyrimet financiare do të kujdeset motra e tij. Meta e njofton gjithashtu se do t'i drejtohet edhe Gjykatës së Posaçme për ndryshimin e përfaqësimit ligjor. Letra mbyllet me shprehjen: “Me konsideratë të veçantë.”
Avokati Kujtim Cakrani bëri të ditur dje se ish-presidenti kishte vendosur të angazhonte një tjetër mbrojtës ligjor. Ai zbuloi se pas seancës së fundit gjyqësore marrëdhënia mes tyre ishte ftohur dhe se nuk kishin pasur më komunikim, duke shtuar se edhe ai vetë e kishte menduar largimin nga mbrojtja e Metës.
“Atë seancë ne u ndamë shumë ftohtë dhe nuk patëm më komunikim. Nuk dua të flas më shumë, unë jam mëse i kristaltë në marrëdhënie me të. Ishte ndarje në heshtje. Meta sot vendosi të marrë avokat tjetër, këtë e kisha menduar dhe unë, ishin në një mendje me zotin Meta. Nuk e di kush do jetë avokati i ri. Kushdo të jetë ai e ka gjetur shtruar bazamentin sepse ju e dini që unë kam bërë një punë të jashtëzakonshme dhe për këtë më mbetet peng. Ngrita imazhin e dërrmuar të ish presidentit duke marrë parasysh atë që ka ndodhur dhe kjo është ajo që më ka mbetur pak peng”, tha Cakrani.
Lini një Përgjigje