
Gjykata e Tiranës ka caktuar masën e sigurisë "arrest me burg" për organizatorin e sulmit ndaj avokatit Sokol Mëngjesi, Dritan Nano dhe dhëndrit të tij Dorian Alia.
Lihen në burg Dritan Nano dhe dhëndri i tij Dorian Alia, pas akuzave për dhunimin e avokatit Sokol Mëngjesi.
Bëhet me dije se Prokuroria ka mbajtur një qëndrim ndryshe nga policia e Tiranës, lidhur me akuzën e ngritur ndaj autorëve që dhunuan avokatin Sokol Mëngjesi.
Prokuroria ka ngritur akuzat për “plagosje e rëndë me dashje kryer në bashkëpunim” dhe “goditje për shkak të detyrës”, ndërsa policia e regjistroi çështjen me akuzën “vrasje e mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim”.
Ndërkohë Nano dhe Alia, kanë mohuar akuzat duke thënë se nuk ka qenë një sulm i planifikuar. Nano, i cili dyshohet se ka organizuar sulmin, ka deklaruar se nuk ka pasur dijeni, ndërsa dhëndri i tij i ka qëndruar deklaratës së parë, duke thënë se e ka parë rastësisht dhe e ka qëlluar në moment.
Më herët, Prokuroria kërkoi arrest me burg për dy personat, ndaj të cilëve rëndojnë akuzat plagosje e rëndë me dashje kryer ne bashkëpunim, kundërshtim dhe goditja e avokatit kryer ne bashkëpunim.
Gjithashtu edhe për tre autorët e tjerë Drivald Alia, Elton Kasaj dhe Romario Tabaku, prokuroria kërkoi caktimin e masës së sigurisë "arrest me burg" në mungesë për të njëjtat akuza si Nano e Alia.
Ndërkohë, raportohet se avokati Sokol Mëngjesi ndodhet në gjendje kritiken për jetën në spitalin e Traumës.
Autorët e dyshuar të sulmit
DRITAN NANO, 58 VJEÇ NGA TIRANA Organizatori sulmit- I ndaluar me iniciativë, vjehrri i autorit kryesor të sulmit
DORIAN ALIA, 32 VJEÇ NGA TIRANA Dhunuesi – U vetëdorëzua pasditen e 29 majit, dhëndri i Nanos, dyshohet se bashkoi grupin për të realizuar planin
ELTON KASAJ, 33 VJEÇ NGA TIRANA Autor sulmi – i shpallur në kërkim
DRIVALD ALIA, 21 VJEÇ NGA TIRANA Autor sulmi – i shpallur në kërkim
ROMARIO TABAKU, 26 VJEÇ NGA TIRANA i pranishëm në vendin e ngjarjes, largoi autorët me makinë – i shpallur në kërkim
Lini një Përgjigje